Ademi: Vota ime sot është obligim për mua dhe zhvillim për futbollin

Të mërkurën në selinë e FFK-së u mbajt Kuvendi i Rregullt Zgjedhor ku Agim Ademi mori mandatin e dytë si kryetar.
Ai menjëherë pas procesit zgjedhor mbajti konferencë për media, pasi që këto të fundit nuk u lejuan të ishin prezent në hapësirat e mbajtjes së këtij Kuvendi.
“Sot pra është kryer Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit, mora nominimin për edhe një mandat katërvjeçar për kryetar të federatës me moton “Bashkë rreth Futbollit”.
“Unë i falënderoj shumë delegatët të cilët në shumicë pikërisht u vërtetua kjo moto që e kemi bërë bashkë për futbollin sepse ishim shumica e delegatëve apo më mirë të themi ishim më shumë se dy të tretat”, tha fillimisht Ademi në konferencë.

“Unë do të jem edhe për këto vite krahas futbollit, do të jem bashkë me klubet, krahas klubeve, për të gjitha klubet. E kam pranuar dhe e pranoj edhe mendimin ndryshe edhe për ata të cilët nuk janë pajtuar deri më tani me mua”.
“Besoj që me punë dhe me angazhim do t’ua rikthej besimin të gjithëve sepse e kemi vetëm një motiv, motivi ynë është futbolli. Loja jonë është futbolli dhe ne do të jemi gjitha bashkë për lojën e futbollit”.
“Shpresoj që secili do të kontribuojë në mënyrën e vet më të mirë të mundshme prej pozicionit që është që futbolli të na ec më mbarë dhe të vazhdojmë zhvillimin. Pra vota ime sot është obligim për mua dhe zhvillim për futbollin”.
I pari i FFK-së u pyet rreth mospranisë së mediave në ambientet ku u mbajt Kuvendi, por ai hezitoi të përgjigjej.
Madje, as ushtruesi i detyrës i sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj, nuk u përgjigj në pyetje.
Përndryshe, Ademi ishte kandidati i vetëm në garë pasi që kandidatura e Gramoz Vokrrit u cilësua si e pavleshme nga Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni. /Shqip.com