Sport Shqiptar

Ademi: Qeveria duhet ta shpall “Fadil Vokrrin” objekt të interesit nacional

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që stadiumi i kryeqytetit “Fadil Vokrri” të shpallet objekt i interesit nacional.

Ademi kërkon nga Qeveria që urgjentisht stadiumin “Fadil Vokrri” ta shpallë si objekt të rëndësisë së veçantë dhe të interesit nacional.

“Duke pasur parasysh faktin se për një vit mirëmbajtja e tij kushton rreth 170 mijë euro, teksa edhe numri i aktiviteteve është i papërballueshëm për këtë stadium. Për ta ruajtur këtë impiant, propozoj dhe kërkoj nga Qeveria që ta shpallë atë me një vendim të veçantë si objekt të interesit nacional, siç ka vepruar me disa objekte tjera. Në të kundërtën ky stadium do të degradohet”, ka shtuar Ademi.

Presidenti i FFK-së e pranon se gjendja e fushës është e rënduar.

“Ne si FFK e kemi bërë të pamundurën që ta mirëmbajmë stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke e ditur se është stadiumi i vetëm në të cilin mund t’i zhvillojmë aktivitetet e ekipeve tona kombëtare. Duke e parë gjendjen e fushës para 6 muajve kemi intervenuar urgjentisht me ekspert të huaj për ta sanuar gjendjen, megjithatë ajo ka vazhduar të dëmtohet si pasojë e ngarkesës së jashtëzakonshme. Gjithashtu, ka vazhduar dëmtimi i objektit edhe në segmente tjera, qoftë nga publiku, qoftë nga ekipet të cilat i kanë zhvilluar ndeshjet aty”.

Duke e parë gjendjen e fushës, Ademi ka paralajmëruar se tashmë ndërrimi komplet i tapetit të këtij stadiumi është i pashmangshëm.

“Është e pamundur që fusha ta duroj një ngarkesë të këtillë të ndeshjeve. Pas renovimit të fundit ajo është dëmtuar shumë dhe tani është i nevojshëm komplet ndërrimi i barit natyral. E për t’u bërë kjo nuk është aspak e lehtë, qoftë për shkak të kushteve atmosferike, e qoftë për shkak të orarit të ndeshjeve”, ka nënvizuar Ademi.

Gjatë këtij muaji në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, Kombëtarja e Kosovës do të jetë mikpritëse e Qipros, në ndeshjen e fundit të edicionit në Ligën e Kombeve, derisa në fillim të muajit tetor do të zhvillohen tri ndeshje të Kombëtareve U17 në kuadër të kualifikimeve për Evropian, si dhe më 13 tetor Ballkani do ta luajë kundër Sivasspor në UEFA Conference League./Shqip.com