Ademi pas sulmit fizik: Jam sulmuar fizikisht nga disa persona të maskuar, nuk kam ndonjë lëndim

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se është sulmuar fizikisht nga disa persona të maskuar në parkun e Gërmisë, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim siç është raportuar në disa medie.

Tutje, ai thekson se lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, teksa thotë se shpreson që personat e dyshuar të dalin para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
“Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë. Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze.
Lidhur me këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës, e cila tashmë është duke i kryer hetimet. Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt personat e tillë do të dalin para organeve të drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar. Përkundër sfidave në punë, por edhe pengesave të këtij lloji, do të vazhdoj me tërë energjinë time t’i shërbej futbollit dhe ngritjes së mëtejme të FFK-së”, tha Ademi./SHQIP.com