Sport Shqiptar

AC Milan dhe Dinamo Zagreb me telegrame urimi për titullin kampion të Ballkanit

FC Ballkani është shpallur kampion i Kosovës për herë të dytë radhazi dhe të dytën herë në histori të klubit.

Skuadra suharekase ka marrë urime edhe nga dy ekipet e mëdha evropiane, gjiganti kroat Dinamo Zagreb dhe ai italian AC Milan për titullin e fituar.

Ballkani ka publikuar urimet me shkrim nga dy skuadrat e mëdha duke i falënderuar ato.

Njoftimi i plotë nga FC Ballkani:

Të dashur tifozë,

Kemi kënaqësinë që dy klube me traditë të futbollit evropian, na kanë dërguar telegrame urimi, me rastin e triumfit për të dytin vit me radhë, në Superligën e Kosovës në futboll.

Është nder i madh për ne që të përgëzohemi prej njërit nga klubet më të trofeshëm dhe ikonik në botë, AC Milan. Njëkohësisht duke qenë se jemi në prag të ndeshjes së parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve, të marrësh një urim nga gjiganti i dytë për nga titujt në histori të Champions League, është motiv shtesë për secilin prej nesh që të japim gjithçka nga vetja, të paraqitemi sa më denjësisht në Evropë.

Njejtë, me nder e kënaqësi, kemi pranuar telegramin edhe nga klubi që ka shkruar historinë në futbollin e Kroacisë, Dinamo Zagreb.

Madje për ne kjo ka një peshë shumë të madhe, jo vetëm për lidhjet tona historike me popullin kroat, por edhe si një klub shembull që punon dhe nxjerrë talentë të jashtëzakonshëm, të cilët pushtojnë klubet më të mëdha në botë.

Faleminderit dhe shumë respekt nga FC BALLKANI.  

/Shqip.com