Lajme

Abstenimi i Kica Xhelilit: Kam pritur që projektligji për konfiskimin e pasurisë të tërhiqet

Deputetja e mazhorancës Doarsa Kica Xhelili, nga radhët e Listës “Guxo”, ka treguar arsyet në lidhje me abstenimin e saj, për byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar.

Kica – Xhelili ka thënë se në parim është pro themelimit të një byroje, por ajo sipas saj duhet të bëhet si duhet.

Sipas deputetes projektligji në fjalë, nuk i ka marrë parasysh një pjesë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, që ngritin shqetësimet për shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Ka pas disa elemente  në opinion e Komisionit të Venecias, që prekin të drejtat bazë të njeriut, shfaqin shqetësimet me të drejtat themelore të njeriut. Ngritin dyshime për respektimin e standardit minimal të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar ajo në emisionin “Debat Plus”.

“Si deputete, më duhet patjetër të tentoj ta ndaj rolin tim, tash unë është e vërtetë jam deputete e pozitës, besoj në një domosdoshmëri për byro për të gjitha  problemet që i kemi identifiku, por paralelisht nuk mundem me evitu, standardin që unë mendoj duhemi ta mbajmë si Kuvend i Kosovës”, ka vijuar ajo.

Deputetja e pozitës, ka theksuar se ajo ka pritur që projektligji i cili u miratua në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, të tërhiqet, të ripërpunohej dhe pastaj të kthehej përsëri në Kuvendin e Kosovës.

Sipas saj, është e rëndësishme të respektohet kushtetutshmëria dhe të drejtat e njeriut.

“Unë kam pritë që projektligji të tërhiqet të shkojë në ministri të drejtësisë, të rihapet grupi punues, të ftohen ekspertët, të ftohen anëtarë të Komisionit të Venecias edhe pse është pak e vështirë,  jo të kthehemi në pikën zero, por të përpunohej ai ligj, dhe të shqyrtohej nevoja a mund t’i inkorporojmë rekomandimet e Venecias apo jo, atëherë të vijë në Kuvend”, është shprehur Kica Xhelili.

Lexo edhe:
Miratohet Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, Konjufca dhe Kica abstenojnë

Theksojmë se në seancën e Kuvendit të Kosovës është miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Këtë projektligj e kanë votuar pro 61 deputete dhe 58 të tjerë kundër si dhe 3 nga abstenuan.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, deputetja e Listës ‘Guxo’, Doarsa Kica-Xhelili dhe deputeti i Grupit Parlamentar 6+, Bekim Arifi, kanë abstenuar në shqyrtimin e Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Kuvendi i Kosoves

Opozita kundërshtoi dhe kërkoi që ky projektligj, të cilin e konsiderojnë kundërkushtetues, të mos hedhet në votim.

Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, bën verifikim e pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar në dhjetor të vitit 2021 ligjin për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndërkaq, në muajin shkurt të këtij viti ai u dërgua për miratim në Kuvendin e Kosovës./Shqip.com