Lajme

Abelard Tahiri: Jap dorëheqje nëse në Fondin e Sigurisë janë mbledhur më shumë se 2 milionë euro

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

” Kur kanë shkuar rreth 75 ditë unë jam i bindur – dhe nëse s’del kështu, unë po vë bast dhe po e lë mandatin e deputetit. Nëse kanë kalu mbi 2 milionë euro, nëse janë dhënë mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë deri sot kur po flasim, deri në këto momente, unë e lë mandatin tim” – kështu është zotuar Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit për sigurinë e vendit, ka folur për shumën e mbledhur në Fondin e Sigurisë.

Ai është shprehur i bindur se në këtë fond nuk janë mbledhur më shumë sesa 2 milionë euro.

“Dhe sot, kur kanë shkuar rreth 75 ditë unë jam i bindur – dhe nëse s’del kështu, unë po vë bast dhe po e lë mandatin e deputetit – nëse kanë kalu mbi 2 milionë euro, nëse janë dhënë mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë deri sot kur po flasim, deri në këto momente, unë e lë mandatin tim. Sepse as 2 milionë euro nuk keni arritë me i mbledhë”, tha Tahiri.

“Kënd do ta fajësoni? Shoqërinë a?”, shtoi ai.

Sipas tij, do të duhej të mblidheshin “ minimum 20 milionë euro”.

Mes tjerash, ai përmendi edhe kryeministrin Albin Kurti, që sipas tij do duhej ta ndante një pagë për këtë fond.

“Kur erdhën vaksinat, kryeministri shumë mirë, dha shembull, i pari shkoi dhe e mori vaksinën. Në rregull është. Pati kritikë, pati që thanë ‘shumë mirë’.. OK. Por kur u themelua Fondi, do të duhej me qenë prapë një simbol, do të duhej prapë kryeministri i Republikës së Kosovës me e dhënë rrogën i pari edhe me thënë ‘unë, së bashku me kabinetin tim qeveritar, pagat e prillit do t’i derdhim të gjithë në Fondin e Sigurisë’. Nuk e bëtë”, tha Tahiri në seancë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Theksojmë se më 1 mars Qeveria e Kosovës kishte themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë.

Ndryshe, buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në më 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri. Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet./Shqip.com