Lajme

Abdixhiku: Të kthehen mjetet dhe të shkarkohet Bordi i ZRRE-së

Lumir Abdixhiku - kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka refuzuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë si dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.

Abdixhiku ka shkruar se ZRRE dhe Qeveria e Kosovës kanë faturuar qytetarët kundërligjshëm.

“Tash e 3 muaj, ZRRE dhe Qeveria e Kosovës, kanë faturuar qytetarët tanë kundërligjshëm. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojnë të gjitha argumentet tona rreth faturimit diskriminues dhe të padrejtë të qytetarëve tanë. Këto argumente ishin injoruar nga pushteti. Insistimi i tyre për të mbrojtur një plaçkë publike, ka marrë sot vulën e dyfishtë të paligjshmërisë”.

Zyra e Rregullatorit për Energji

Shefi i LDK-së ka kërkuar që të shkarkohet Bordi i ZRRE-së dhe të bëhet rishikimi i tarifave të energjisë.

“Kthimi i mjeteve tek qytetarët tanë, rishikimi i menjëhershëm i tarifave të energjisë, si dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së, janë hapa të domosdoshëm që Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti duhet t’i ndërmarrin sa më parë. Sot kërkojmë përgjegjësi publike nga ata që paligjshëm i shtrenjtuan faturat e energjisë; e që mbrojtën me garancë këtë paligjshmëri. Pjesa tjetër e së vërtetës rreth krizës energjetike – të keqpërdorimit të qindra milionave, pagesave në llogari të fshehta, e vonesës në reagueshmëri – do të zbardhen në Komisionin Hetimor Parlamentar”,ka thënë Abdixhiku

Theksojmë se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për çështjen administrative, me të cilin kjo e fundit kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Apeli e ka cilësuar si të pabazuar ankesën e të paditurës ZREE-së.

“Refuzohet si e pabazuar  ankesa e të paditurës –kundërpropozueses ZRRE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi  i Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/ propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike./SHQIP.com