Lajme

Abdixhiku takohet me Lajçak, diskutojnë për dialogun Kosovë- Serbi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në një takim Përfaquesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas një njoftimi, gjatë takimit, Abdixhiku dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, diskutuan për situatën e përgjithshme politike në vend, ndërsa temë e veçantë e diskutimit ishte procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Me këtë rast, kryetari Abdixhiku, ia rikonfirmoi Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, qëndrimin e LDK-së, ku theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Foto nga Takimi

Po ashtu është bërë e ditur se Abdixhiku, ndër të tjera, tha se LDK mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtar në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit.  

Foto nga takimi

Në fund të takimit, Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, kërkoi përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit./Shqip.com