Lajme

Abdixhiku: Qeveria s’ka përmbyllur një rrugë të vetme në të gjithë Kosovën për 3 vjet

Lumir Abdixhiku - Kryetar i LDK-së
Lumir Abdixhiku - Kryetar i LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se po e përmbyllin vitin e tretë në Qeveri, por nuk kanë përmbyllur një rrugë të vetme në të gjithë Kosovën.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se nuk është përmbyllur as rruga për Mitrovicë, as ato për Podujevë, Pejë, Gjialne dhe Gjakovë.

“Po e përmbyllin vitin e tretë në Qeveri, por s’kanë përmbyllur dot një rrugë të vetme në gjithë Kosovën. As atë për Mitrovicë, as atë për Podujevë, as për Pejë, as për Gjilan e as për Gjakovë. Qytete të tëra të lëna në harresë tash e tre vjet! Qytetarë të tërë të maltretuar për çdo ditë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, projekti i vetëm i madh kapital që ndodhë sot në vend është ai i ‘Rrugës A’ në Prishtinë.

Ndërsa sa i përket tunelit Prizren–Tetovë prej 200 milionësh euro i planifikuar nga qeveria, Abdixhiku ka thënë se muhabetet nuk kushtojnë.

“Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot. Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas tij, në programim se “Rrugës së Re” të gjitha projektet kapitale do të përfundojnë brenda 30 muajve.

“Në programin e ‘Rrugës së Re’ të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve. Aq kohë duhet. Aq kohë do të marrin. Aq kohë do të kenë. Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë”, ka përfunduar Abdixhiku.

/Shqip.com