Lajme

Abdixhiku për Qeverinë Kurti: Praktikantët në aksion, heqin kapelat në rekordet e zeza

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti për “menaxhim inekzistent të pandemisë COVID-19”.

Ai i ka quajtur “praktikantë” zyrtarët e kësaj qeverie, duke thënë se “po heqin kapela në rekordet e zeza në vend”.

“Praktikantët tanë, punë kanë, por të tjera janë ato. Disa protestojnë ndaj vetes – merreni me mend – të tjerët heqin kapela në rekorded e zeza në vend; ca punë konsiderojnë edhe numrin e telefonatave që njëri i bën; e ai kryesori ka vendosur t’u ndajë infermierëve pak lëmoshë; se për t’i parë e mbështetur as që bëhet fjalë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, Kosova është “në rënie të lirë sepse pushtetarët tanë ditën që morën pushtet harruan për çfarë janë”.

14 shkurtin e morën si festë e si fund, e si garancë që çkado që bëjnë – edhe kur s’bëjnë gjë – nuk ka rëndësi. Po e shohin veten të paprekshëm, prandaj dhe sillen kështu. Kjo arrogancë natyrisht se do të merr edhe përgjigjen e vet – populli sheh – po ç’na duhet kjo përgjigje kur 77 tragjedi familjare i kemi pa mbyllur javën ende”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Ai tutje u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të mbrohen.

“Nga shteti mos prisni gjë – janë në delir vetëlavdate e mohim krize edhe në kohë morti mbarë nacional. Spitalet janë të mbushura përplot. Mjekët i kemi të lodhur e stërngarkuar, të ofenduar me lëmoshë e të pakët në numër  pasi i larguan 575 punonjës shëndetësorë – po këta”.

Abdixhiku ka shtuar se duhet reagim kolektiv për ta përmbysur këtë “keqmenaxhim”./SHQIP.com