Lajme

Abdixhiku për ngritjen e çmimeve, fajin sërish e hedh te Kurti: Qeveria po kontribuon në krizë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është marrë edhe një herë me ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore që janë duke ndodhur në Kosovë.

Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës, duke e quajtur praktikante që i ka lënë institucionet e shtetit pa drejtues.

“Çmimi i vajit rritet në rekord botëror, sepse fiksimet e mashtruesve s’ka kush t’i kontrollojë. S’ka kush t’i kontrollojë sepse në njërën anë inspektorët e shtetit nuk janë askund; e në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës është i paralizuar e pa funksion. Sot bëhen 10 muaj që kur Qeveria praktikante e Kurtit ka lënë këtë institucion pa Bord, rrjedhimisht pa njerëz që nisin hetime apo marrin vendime në kohë krizash si sot”, ka shkruar Abdixhiku.

Çmim i paaftësisë e neglizhencës, e ka quajtur shefi i LDK-së veprimin e Qeverisë.

“Është çmim i braktisjes së detyrave bazike shtetërore. Ne jemi në krizë. Dhe në këtë krizë nuk kemi Qeveri. Paralajmërimet e ngritura me kohë s’dëgjohen e rekomandimet e dhëna injorohen”.

Kreu i LDK-së ka folur edhe për paralajmërimet që i ka dhënë kjo parti për Qeverinë, por që nuk janë marrë masat.

“Më 3 shkurt, si LDK kemi paralajmëruar Qeverinë për marrjen e masave në sigurim të grurit para shpërthimit të agresionit rus në Ukrainë. Asnjë reagim. Më 16 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të ofrojë një paketë masash fiskale që targetojnë inflacionin e lartë – më të lartin historik – në Kosovë. Asnjë reagim.  Më 21 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të funksionalizojë sa më parë Autoritetin e Konkurrencës si preventivë për manipulimet e mundshme të çmimeve; me të njëjtat që po ballafaqohemi sot. Asnjë reagim. Këtë javë, kemi dhënë rekomandime konkrete mbi masat që duhet marrë për zbutjen e përballueshmërisë; me theks të veçantë në reduktimet e TVSH-së e akcizës mbi derivate fillimisht e më pas dhe në produktet bazike. Rekomandimet tona u mbështetën nga të gjithë, përveç Qeverisë. Asnjë reagim. Mosreagueshmëria është pjesëmarrje në krizë. Qeveria, si ankuese e vështruese e krizës, po kontribuon në krizë”, ka përfunduar shkrimi i Abdixhikut në Facebook.