Lajme

Abdixhiku për Haxhiun: Nga logjika e ‘vajit në tepsi’ tek sulmet ndaj rendit juridik

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se një ministri që cenon rendin kushtetues të Kosovës nuk mund të sjellë politika të drejtësisë.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ironizon ministren Albulena Haxhiun.

“Nga logjika e ‘vajit në tepsi’, tek sulmet ndaj rendit juridik. Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik”, shkroi Abdixhiku.

Madje Abdixhiku pyet se pse duhet të respektohen Gjykatat nga të tjerët kur ato nuk respektohen nga pushtetarët.

“Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?”.

Abdixhiku thotë se pushtetarët janë të rrezikshëm.

“Këta kaq dinë, por megjithatë duan më shumë. Prandaj përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë”.

Tutje, Abdixhiku tha se Kosova meriton më mirë dhe mundet më shumë.

Reagimi i Abdixhikut erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka drejtuar sulme ndaj Gjykatës Kushtetuese duke thënë se për ta më i rëndësishëm është interesi personal i disa anëtarëve të KPK-së sesa interesi i përgjithshëm

/Shqip.com