Lajme

Abdixhiku për 100 ditë qeverisje të Kurtit: Nuk dallojnë nga të tjerët, Pronto 2 në reprizë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar qeverisjen Kurti duke thënë se mjaftuan vetëm 100 ditë “për të parë që nuk dallojnë”, njofton Shqip.com.

Me anë të një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se për 100 ditët e qeverisë, Zajednica është bërë Asociacion e Bashkimi Kombëtar i pamundur.

“100 ditëshi i Qeverisë që s’është, s’shihet, s’bën! Qeveria Kurti po i mbushë 100 ditë, pa ndonjë rezultat e pa ndonjë shenjë që mbahet në mend. Fjalë plot, foto përplot, vepra askund – ky duhet të jetë një nga fillimet më dëshpëruese që Kosova ka pasur ndonjëherë. Pritjet e mëdha për ndryshim u ballafaquan vërtetë me ndryshim – jo të problemeve të thella të vendit tonë, por të atyre që mbajnë karrige tjera sot”.

“Mjaftuan 100 ditë për t’i parë se nuk dallojnë! Në pushtet, aktakuzat e pushtetarëve u bënë të parëndësishme më. Paradite në gjykatore, pasdite në Kuvend e Qeveri – në ligjerim për shtetin e fortë e shtetin e drejtë për të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai qeverisjen e Kurtit e ka cilësuar si ‘Pronto 2 në reprizë’.

“‘Kushërinjtë për dasma’, ndërsa, u bënë profesionistë ndër më të zot. Bordet e Postës, të Telekomit e të UjësjellësIt i mbushën të parat me të afërmit e vet. Të tjera ndërmarrje presin fatin e njejtë. Votat qytetarëve, bordet familjarëve – kjo është parulla e re. Pronto 2 në reprizë. Kapja vazhdon veç kapësit ndryshojnë!”, shkroi Abdixhiku. /Shqip.com