Lajme

Abdixhiku: Dhuna është problemi ynë shoqëror dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë

Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së
Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar në lidhje me rastin e sulmit ndaj një të moshuare në Pejë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku tha se ngjarjet si këto nxjerrin anën më të erret të shoqërsisë së vendit, e gjithashtu u shpreh i shokuar edhe nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhune.

“Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot. Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje është përfundim i trishtë”, ka shkruar ai.

Tutje ai tha se dhuna është problemi ynë shoqëror dhe kundër saj duhet “dhe do të ngritemi të gjithë”.

/Shqip.com