Lajme

Abdixhiku nga Malisheva: Qytetarët e zakonshëm janë braktisur nga popullistët

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë ditës ka zhvilluar takim me qytetarë nga Malisheva, ku ka theksuar se qytetarët janë braktisur nga popullizmi.

Ai ka thënë se familjet kosovare janë në vështirësi, mes thyerjes së perspektivës dhe mungesës së kujdesit shtetëror.

“Në Malishevë, sonte vazhduam takimet e zakonshme me qytetarë. Vendin e kemi mes tyre, të braktisurve nga popullizmi, për të folur për çdo brengë e hall që ata kanë përballë.

‘LDK ju dëgjon’ është platforma e vetme e ballafaqimit tonë me të vërtetën. Aty, mes njerëzve të këtij vendi, po e gjejmë këtë të vërtetë. Atë të krizës, rëndesës së përditshme, mungesës së kujdesit e thyerjes së vet perspektivës. Familjet kosovare janë sot në vështirësi. Çmimet e larta, të ardhurat e ulëta, vështirësitë në shëndetësi e edukim, shënojnë përditshmërinë e tyre. Ata janë të ngopur me ankesat mbi të shkuarën, siç janë në kërkim të së ardhmes”, ka shkruar Abdixhiku.

Për Abdixhikun, Kosova meriton dhe mundet më shumë, e pikërisht ky ishte edhe mesazhi nga takimi me qytetarë i zhvilluar në qytetin e Malishevës.

“Kosova meriton më shumë. Kosova mundet më shumë. Si LDK, mesazhin e tyre po e marrim qartë. Dhe në këtë mbrëmje, në përvjetor të 33-të të rrugëtimit me ta, u ndamë edhe më të lidhur edhe më të përmbushur në misionin tonë politik”, ka theksuar Abdixhiku.

Ndryshe, LDK-ja ka filluar takimet me qytetarë në komunat e Kosovës, që veçse ishte paralajmëruar muaj më herët, në një konferencë për shtyp nga deputeti, Avdullah Hoti.

/Shqip.com