Lajme

Abdixhiku: Kosova po përballet me valë të papërballueshme të çmimeve, Qeveria Kurti vetëm spektatore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë elektrike.

Duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, kreu i LDK-së, thotë se “për vetëm një vit, çmimet e produkteve më bazike ushqimore e të shërbimeve kanë prekur rekorde të reja në vend”.

“Mielli është shtrenjtuar për 29%, buka për 17%, vaji për 46%, sheqeri për 23%, patatet për 24%, domatet për 30%, nafta e benzina për gati 30%, e energjia elektrike – pa subvencion – nga 85-104%. Janë çmime të rritura për vetëm 1 vit. Kjo rritje enorme, e paprecedentë deri më tani, vendosë kosovarët në krizën e papërballueshmërisë së përditshme”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Tabela e publikuar nga Abdixhiku

Ai ka hedhur akuza karshi qeverisë të cilën e quan “spektatore”.

“Asnjë masë fiskale, asnjë politikë qeveritare, asnjë pako zhvillimore e ndërmarrë deri më tash. Paaftësia qeverisëse kushton. Paaftësia e kësaj Qeverie kushton shumë”.

“Politika publike duhet të jetë e gjallë. Vizionet zhvillimore duhet të jenë të mëdha; të guximshme. Ngurtësimi në retorikë të thatë, herët apo vonë sjellë krizë. Dhe me çmime inflative si këto, ky vend veçse po futet në krizë”, përfundon kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku./Shqip.com