Lajme

Abdixhiku kërkon të reduktohet akciza në derivate dhe TVSH-ja në produkte bazike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Qeveria që të reduktohet akciza në derivate dhe të reduktohet TVSH në naftë dhe produkte bazike.

Abdixhiku në një postim në Facebook ka shtuar se Qeveria po vazhdon të injorojë krizën ku gjendet Kosova.

“Në vendin më të varfër evropian ndërsa, Qeveria e Kosovës vazhdon të injorojë krizën e përballueshmërisë së qytetarëve tanë. Çmimet e naftës vazhdojnë të mbesin të larta, e si pasojë dhe të dhjetra produkteve bazike në Kosovë. Të reduktohet akciza në derivate. Të reduktohet TVSH në naftë dhe produkte bazike”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka përmendur se këtë propozim e ka bërë edhe tre muaj më parë.

“E kishim propozuar më 7 mars, plot tre muaj më parë, reduktimin e TVSH-së e të akcizës në naftë, për të njëjtat efekte që shihen në Gjermani sot. Ishim injoruar me arsyetimin se kriza është e njëjtë nëpër Evropë. E njëjtë është kjo krizë – natyrisht – por masat që kanë ndërmarrë e po ndërmarrin qeveritë evropiane janë të ndryshme. Asnjëra nga to nuk vështron për të mosvepruar si kjo e Kosovës”.

Ndryshe, Qeveria gjermane nga 1 qershori ka reduktuar akcizën dhe barrën tatimore në naftë për 35 cent./SHQIP.com