Lajme

Abdixhiku fton Prokurorinë të hetojë vonesën e mirëmbajtjes së bllokut A5

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë vonesat në mirëmbajtjen e Bllokut A5.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje Qeverisë që të nis shkarkimin e Bordeve të KEK-ut e ZRRE-së, që sipas tij me paaftësinë e tyre po krijojnë terr në verë.

“Ftoj Prokurorinë e Kosovës, të hetojë vonesën në mirëmbajtjen e Bllokut A5. Siç dhe ftoj Qeverinë e papërgjegjshme të Kosovës të zgjohet nga gjumi i thellë veror e të bëjë çdo përgatitje të nevojshme për një dimër të vështirë për energjinë – nisur nga shkarkimi i Bordeve partiake në KEK e ZRrE që me paaftësi po krijojnë terr në verë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai më tej ka thënë se si pasojë e kësaj vonese, Kosova po humb 78 mijë euro për orë.

“Kosova nuk ka rrymë sot sepse Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë – prandaj tash e një muaj nuk është në funksion. Një muaj as mirëmbajtje e as prodhim. Dhe do të qëndrojë kështu për shumë kohë sepse Qeveria e Kosovës, sikurse në çdo temë tjetër, është e vonuar të veprojë. Verës pushon, dimrit nisë të mirëmbajë – këso praktike të mbrapshtë nuk njeh asnjë shtet”

Sot, nga 130 MWh në orë, apo 78,000 euro për orë (në pikun energjetik), i humbasim si pasojë e kësaj vonese skandaloze. Madje, gjatë muajve në vijim, kur çmimi i energjisë rritet edhe më shumë, vlera e humbur do të jetë shumë më e lartë se kjo. Kemi kapacitete por s’i kemi në punë. Kjo është e vërteta e reduktimeve të rrymës në verë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, tash e gjashtë ditë, Kosova është duke u përballur me reduktime./SHQIP.com