Lajme

Abdixhiku: Datat 5,6 e 7 mars janë të gravuara në themelet e lirisë së Kosovës

Rifat Jashari dhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, ku ka thënë se datat 5,6 e 7 mars janë të gravuara në themelet e lirisë së Kosovës.

Abdixhiku ka shkruar se 24 vite më parë, Drenica, Prekazi, familja Jashari ishin rrethuar nga forcat serbe dhe se në këtë rrethim e përballje disproporcionale forcash, Adem Jashari kishte zgjedhur mbrojtjen e pragut të shtëpisë – me gjithë familje.

“Kjo sakrificë e jashtëzakonshme e tyre në altarin e lirisë – ishte kushtrim nacional për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte fillim i fundit të okupimit serb mbi Kosovë”, ka shkruar ai.

Kreu i LDK-së ka thënë se gjatë vizitës në Prekaz, ka vizituar edhe Bacën Rifat Jashari e anëtarët e tjerë të familjes Jashari dhe sipas tij kjo shtëpi e madhe e tyre vazhdon të jetë inspirim për ne.

“Sot, nderojmë familjen Jashari; burrat, gratë e fëmijët që kishin rënë 24 vite më parë, për të mos vdekur kurrë. Sot, nderojmë të gjithë të rënët, martirët e viktimat e luftës e përpjekjes sonë për liri. Ky nderim, kjo sakrificë, na shërben si rikujtim i vazhdueshëm se sa i domosdoshëm është kontributi ynë i mbarë e i drejtë në liri”, ka shkruar ai./Shqip.com