Lajme

Abbott për sanksionet amerikane: Janë në interes të të gjithë komuniteteve në Kosovë

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka mirëpritur vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur sanksione ndaj disa serbëve të Kosovës, të cilët sipas Departamentit Amerikan të Shtetit janë pjesë të një grupi të krimit të organizuar në krye me Zvonko Veselinoviq.

Sipas ambasadorit Abbott, ky vendim është në interes të të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“E mirëpres vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Më tej, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ketë një thyerje mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar.

“Thyerja e lidhjes mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore nëse duam të krijojmë hapësirën për politikanët dhe zyrtarët që punojnë në interes të të gjithë atyre që përfaqësojnë, jo vetëm për veten e tyre”.

Vendimi amerikan

Zvonko Veselinoviq – krimi i organizuar në veri të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Tutje, në njoftim thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.

Sanksionet janë vendosur në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818, i cili targeton personat e korruptuar dhe abuzimin e rëndë të të drejtave të njeriut, transmeton Shqip.com.

Në njoftimin e këtij departamenti thuhet se, Zvonko Veselinoviq si lideri i Grupit të Organizuar Kriminal Zvonko Veselinoviq (OCG) është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

“OCG-ja e Veselinoviqit është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë: Rosiq, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Miljan Radisavljevic, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq. /Shqip.com