Lajme Ballkan

Abbott e sheh me shqetësim retorikën e përdorur nga Kosova e Serbia për dialogun

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, thotë se është shqetësues procesi i ngadalshëm i parë së fundmi në bisedimet Kosovë-Serbi dhe në zbatimin e angazhimeve të tyre ekzistuese, transmeton Shqip.com.

Shqetësuese për Abbott është edhe retorika e përdorur nga përfaqësuesit e të dy vendeve para dhe pas takimeve të dialogut.

Sipas tij, kjo që po shihet, mbyll hapësirën për negociata dhe kufizon potencialin për ndryshim.

“Progresi i ngadalshëm i kohëve të fundit në negociatat dhe zbatimin e angazhimeve ekzistuese është shqetësues. Përderisa kjo pasqyron realitetin e një periudhe me një qeveri të re në Kosovë dhe zgjedhjet në të dyja vendet, progresi në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që përfitojnë qytetarët e zakonshëm është thelbësor. Të dy vendet duhet të angazhohen në mirëbesim me procesin e dialogut dhe njëri-tjetrin”, ka thënë ai në një intervistë për ‘Telegrafin’.

“Pjesë e kësaj do të thotë të pranosh se kompromisi, jo koncesioni, është i nevojshëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare që kënaq të dyja palët dhe qytetarët e tyre. Sfera publike dhe politike duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë këtë. Unë jam gjithashtu i shqetësuar për retorikën e përdorur nga përfaqësuesit e të dy vendeve para dhe pas takimeve të dialogut”, u shpreh më tej Abbott.

Ambasadori britanik më tej deklaroi se marrëveshja Kosovë- Serbi do të thotë të pranosh se kompromisi, jo koncesioni, është i nevojshëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare që kënaq të dyja palët. /Shqip.com