Lajme Ballkan

Abazoviq: Mali i Zi është i destabilizuar nga ata që nuk kanë më mbështetje qytetare

Protesta të fuqishme janë zhvilluar ditën e djeshme në Mal të Zi, ku mijëra protestues kanë marshuar në rrugët e Podgoricës duke kërkuar largimin e qeverisë aktuale.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Abazoviq, ku e ka akuzuar Milo Gjukanoviqin për thirrje të protestave, por që vet nuk merr pjesë në to.

“Është pak e çuditshme që Gjukanoviq bën thirrje për protesta dhe në fund ai nuk shkon në protesta, Gjukanoviq thërret për dialog – ai nuk vjen në dialog. Por ne nuk duhet të merremi me formalitete, por me thelbin.

Mali i Zi nuk është në gjendje të jashtëzakonshme dhe vetëm ato struktura që nuk kanë më mbështetjen e qytetarëve po e shtyjnë drejt destabilizimit”, tha kryeministri me mandat teknik, i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Sipas tij çështjet politike duhet të zgjidhen me mjete demokratike.

“Ne duhet ta zgjidhim këtë situatë në mënyrë demokratike dhe apeli im drejtuar DPS-së është që më 22 dhjetor të votojë të paktën një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese dhe unë personalisht do të doja ta përfundoja atë çështje”, tha Abazoviq.

/Shqip.com