Lajme Ballkan

Abazoviq kërkon falje për deklaratën për gjenocidin në Srebrenicë

Dritan Abazoviq

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se deklarata e tij në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë ishte “e paqartë” dhe u kërkoi falje familjarëve të viktimave.

“U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Gjenocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt”, shkroi ai në Telegram.

Kjo kërkim-falje vjen pasi familjarët e viktimave të gjenocidit, shoqatat dhe përfaqësuesit e partive politike në Mal të Zi, thanë se Abazoviq relativizoi gjenocidin në Srebrenicë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Mijëra njerëz pritet të ndjekin të hënën ceremonitë përkujtimore të 27-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, të identifikuara së voni, u varrosën të hënën në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.

Me rastin e përvjetorit të 27-të të masakrës në Srebrenicë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 vjetësh nuk është asgjë më pak se gjenocid, asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka përkujtuar gjenocidin që ka ndodhur para 27 vjetëve në Srebrenicë.ku u masakruan mbi 8 mijë burra.

Osmani tha se sot kujtohen burrat dhe djemtë boshnjakë që u vranë pa mëshirë nga forcat serbe./Shqip.com