Lajme

Abazoviq: Sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik dy prioritetet e qeverisë

Kryeministri i Malit tëZi, Dritan Abazoviç (Fotografi nga DW)

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në intervistë ekskluzive për DW, thekson, se mënyra më e mirë për të luftuar ndikimin negativ, jo vetëm nga Rusia, është anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian.

DW: Kryeministër, agresioni rus ndaj Ukrainës ka alarmuar mbarë botën. Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga ky agresion dhe nga kjo luftë?

Dritan Abazoviq: Kjo është një katastrofë shumë e madhe botërore dhe Mali i Zi ka mbajtur një qëndrim të qartë në këtë situatë: ne mbështesim 100% standardet demokratike dhe promovimin e vlerave universale, në veçanti promovimin e të drejtave të njeriut. Ne jemi thellësisht të zhgënjyer nga Rusia në këtë situatë dhe i japim të gjithë mbështetjen sovranitetit të Ukrainës dhe qytetarëve të saj. Ne do të japim të gjithë kontributin tonë, njësoj siç po e bëjnë të gjitha shtetet evropiane. Politika jonë e jashtme është 100% në përputhshmëri me politikën e jashtme evropiane. Ne i kemi vendosur sanksione Rusisë dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë njësoj si vendet e tjera evropiane, deri në fund, kur shpresojmë për një paqe. Pozicioni ynë është që të ketë mundësi për dialog dhe gjithçka të përfundojë në mënyrë paqësore, sepse lufta dhe veçanërisht kjo lloj lufte në shekullin e 21-të, është vërtet e papranueshme.

Kryeministri i Malit tëZi, Dritan Abazoviq (Fotografi nga DW)

DW: Le të rikthehemi tek Rusia, sepse ndikimi rus në rajon është shumë i dukshëm, në shumë dimensione. Gjithashtu edhe në vendin tuaj, veçanërisht përsa i përket një lufte hibride. Çfarë masash do të ndërmerrni për të luftuar ndikimin rus, sidomos kundër dizinformimit?

Dritan Abazoviq: Mënyra më e mirë për të luftuar ndikimin negativ, jo vetëm nga Rusia por edhe nga shtete apo grupe të tjera politike, është anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian. Kjo është mënyra e duhur për të ndërtuar institucione, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, të bëjmë institucionet tona më të forta dhe më profesionale, më të depolitizuara. Kjo është mënyra si mund ta luftojmë. Mendoj se kjo që ndodhi në Ukrainë është një sinjal shumë i fortë për ne, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por është gjithashtu edhe një sinjal për administratën e Brukselit dhe jam më shumë se i sigurt se tani do të kemi më shumë mirëkuptim prej tyre për të shtyrë përpara procesin e integrimit jo vetëm për Malin e Zi por edhe për vendet e tjera.

Pra, nëse s’duam të qëndrojmë si një “gropë e zezë” në këtë pjesë të botës, atëherë duhet të anëtarësohemi sa më shpejt në BE dhe kjo është ambicia e kësaj qeverie. Ne duhet të zgjidhim ca probleme të brendshme, kjo është e vërtetë. Por edhe besoj se Komisioni Evropian do ta njohë këtë dhe do të hapë dyert për shtetet si Mali i Zi, duke e rigjallëruar dhe njëherë procesin e zgjerimit, me anë të disa sinjaleve shumë pozitive. Kjo është mënyra se si ne mund ta luftojmë ndikimin negativ që vjen nga ana tjetër.

Kryeministri i Malit tëZi, Dritan Abazoviq (Fotografi nga DW)

DW: Keni deklaruar gjithashtu se do të mbështesni “Open Balkan”, në ndryshim nga presidenti i vendit tuaj. Përse?

Dritan Abazoviq: Për mua edhe kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon që të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është ok.

DW: A nuk është kundër konceptit të Procesit të Berlinit?

Dritan Abazoviq: Jo! Këto janë në përputhshmëri me njëra-tjetrën. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo çështje. Procesi i Berlinit, CEFTA, “Ballkani i hapur” apo çdo nismë tjetër kanë si mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal. Emri është i parëndësishëm. Po çfarë na nevojitet ne? Na duhet më shumë besim, komunikim më i mirë, projekte të përbashkëta, më shumë bashkëpunim mes vendeve dhe qeverive. Këto na nevojiten. Dhe nga këndvështrimi im, gjithçka shkon në këtë drejtim, është gjëja e duhur. Na duhen më pak tensione, depolarizim i rajonit, dhe për këtë na duhet t’i besojmë njëri-tjetrit dhe jo ta shohim çdo propozim që vjen nga përtej kufirit si diçka armiqësore.

Ne nuk i shohim fqinjët tanë si armiq. I shohim si fqinjët tanë, si miqtë tanë, me shumë respekt dhe po përpiqemi të sjellim energji të reja dhe politikë të re në rajon. Mbase teza ime nuk është e saktë, por unë besoj fuqimisht tek ajo: që nacionalizmi është thellësisht i lidhur me korrupsionin. Dhe elitat politike që duan të promovojnë nacionalizmin, nuk e bëjnë këtë për patriotizëm, po për të mbajtur status quo-në dhe për të moslejuar ndërtimin e institucioneve. Sepse kur ndërtojmë institucione, dhe këtu nuk i referohem vetëm Malit të Zi por edhe rajonit, kur ndërtojmë institucione të forta atëherë marrëdhëniet mes njerëzve do të jenë më të mira, pavarësisht se çfarë shteti apo grupi fetar që përfaqësojnë. Pra, shoh një lidhje mes tyre.