Lajme

Abazi shpreh pakënaqësi me partinë: Ekziston një skenar, në Kuvend flasin vetëm 2-3 deputetë

Haki Abazi i VV-së

Deputeti i Vetëvendosjes Haki Abazi, ka folur për zhvillimet e fundit në partinë e tij dhe deklaratën e javës së kaluar ku e kishte apostrofuar shefen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusarin.

Abazi ka thënë se në VV ekziston një skenar, ku një grup i vogël deputetësh flasin secilën herë.

“Ju e shihni se sa njerëz flasin rregullisht nga Grupi Parlamentar i VV-së, 2-3. Ekziston skenari i folësve, por skenari duhet të jetë rezultat i debatit të mëhershëm që bëhet brenda Grupit Parlamentar. E jo njerëzit që nuk janë të përgatitur me temat, e jo në linjë me shefen e GP-së”, tha Abazi.

Sipas tij në Vetëvendosje ka mjaft për të thënë por që në raste edhe pamundësohet fjala nga deputetja Kusari.

“Nëse VV-ja e ka fituar mandatin e dytë me premtimin për ndryshim, atëherë kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV, përfaqëson më së paku ndryshimin. Ajo më së shumti përfaqëson vazhdimin. Për këtë arsye unë nuk e kam votuar”, tha Abazi.

Ai e ka akuzuar deputeten Kusari-Lula se ajo ka qenë në prapaskenë për të lënë atë jashtë Komisionit për Energji.

Kujtojmë se javën e kaluar, Abazi kishte thirrur konferencë për media, ku mes tjerash e kishte përmendur Mimoza Kusarin, duke thënë se nuk duhet të jetë shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes./SHQIP.com

/Shqip.com