Lajme

Abazi: Marrëveshja finale me Serbinë duhet urgjentisht të vendoset në tavolinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka mbajtur sot një konferencë për media. Temë e diskutimit ishte edhe tema për marrëveshjen për targat dhe marrëveshja finale me Serbinë.

Ai në një postim ne Facebook, ka thënë se momenti ku kemi ardhur në fund, është më i mirë se që ka mundur të jetë nëse nuk do të kishte marrëveshje.

“Serbisë i ka shkuar në favor situata e tensionuar në veri të vendit tonë. Prezantimi i Kosovës në mediat ndërkombëtare si vend i krizës dhe i konfliktit frikëson investitorët dhe i mbanë larg turistët. Kjo e dëmton ekonominë tonë dhe e ngadalëson zhvillimin e përgjithshëm. Këtë strategji Serbia e ka përdorur në vazhdimësi që ta bëjë jetën e vështirë të qytetarëve tanë, rrjedhimisht të ketë fluks të madh të largimit të qytetarëve nga Kosova. Qëndrueshmëria, zhvillimi ekonomik, prosperiteti i qytetarëve tanë duhet të jetë boshti i angazhimit politik, përderisa Kosova dhe kufijtë e saj janë të garantuara nga NATO dhe shtetet që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Abazi.

Tutje, sipas tij, ky moment duhet shfrytëzuar për reflektim të thellë, hapje të dialogut të brendshëm me të gjithë qytetarët, përfshirë edhe serbët.

“Për të qartësuar drejtimin dhe përmbajtjen e planeve të gjeneruara këtu apo ndërkombëtarisht. Transparenca e procesit të dialogimit me Serbinë e bënë Kosovën më të fortë dhe më kohezive edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Përdorimi i vizave si mjet i presionit nga ana e BE-së tregon qartazi që vizat kanë qenë në vazhdimësi të ndërlidhura me dialogun dhe kjo vërtetë është dështim i të gjithëve. Andaj, qytetarët nuk duhet paguar dënimin për gabimet e të tjerëve”, ka thënë ai.

Sipas Abazit, marrëveshja finale me Serbinë duhet të vendoset në tavolinë urgjentisht, për të mos u bërë peng i lojërave dhe manovrimeve taktike që vijnë nga Beogradi për të sabotuar të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

“Ekipi negociator duhet të zgjerohet, të jetë gjithëpërfshirës dhe të ketë komunikim të rregullt me publikun. Vetëm kështu mund të sigurohemi që marrëveshja do të jetë e mirë dhe pronësinë e saj do ta kenë qytetarët e vendit. Kjo kohë nuk është për triumfalizëm, kjo kohë është për unifikim të gjithëmbarshëm”, ka shkruar ai.

/Shqip.com