Lajme

Abazi flet pas intervistimit të tij nga prokuroria për rastin e Astrit Deharit

Haki Abazi, LVV
Haki Abazi, LVV

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka folur para mediave pas intervistimit të tij nga Prokuroria lidhur me pretendimet e tij për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

“Kam marrë ftesën nga Prokuroria. Unë jam përgjigjur ftesës së prokurorisë e cila ka shtruar pyetjet e veta. Ka qenë jashtëzakonisht korrekt në procesin e intervistimit si dëshmitar. Të gjitha pjesët tjera janë absolutisht pjesë e prokurorisë ashtu siç edhe kam bërë deklaratën në hollin e Kuvendit, është çështje e prokurorisë që të merret me këtë çështje dhe të realizojë drejtësinë”, tha Abazi para mediave.

Abazi u pyet se për çfarë është interesuar më shumë prokurori gjatë intervistimit të tij.

“Nuk flas fare dhe nuk mundem të jep informacion më shumë për këtë çështje meqë janë çështje të hetuesisë dhe prokurorisë, por ajo që them unë edhe si deputet edhe si qytetar i Kosovës të cilit i garantohet e drejta e fjalës, nuk do të ndalem që pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mija si deputet e si qytetarë në një shoqëri normale”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje foli edhe për shkarkimin e tij nga Komisioni parlamentar.

“Pjesa tjetër është politike e mund ta kuptoni se presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme, por ajo që duhet të them është që shkarkimi im si kryetar i Komisionit, vije për shkak të guximit tim për të qelë tema dhe për të shtru pyetje për shoqërinë tonë”.

Madje, Abazi ironizoi edhe me Qeverinë e Kosovës.

“Ajo që duhet të kuptoni gjithashtu është që, kur hynë palaqoja në pallat mbretërorë nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus. Ne e kemi bërë të gjithë punën tonë për ndryshimin e madh në këtë vend që të vihet drejtësia në vend e zhvillimi të bëhet në kohezionin shoqëror. Kjo që po bëhet tani përfshirë edhe shkarkimin me urdhër të Kurtit është rezultat i guximit qytetar dhe kryerjes së punës sipas betimit tim në  Parlamentin e Kosovës. Unë nuk kam heshtur as në të kaluarën dhe nuk do të heshtë as tani dhe do e kryej punën tim si qytetar dhe si deputet”.

Disa ditë më parë përmes një konference për media, deputeti Haki Abazi ka thënë se duhet të kërkohen disa video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.

“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar  deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.

Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.

“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.

Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.

/Shqip.com