Lajme

AAK paralajmëron protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë

Pal Lekaj - deputet i AAK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është absurd, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë edhe të mbajtjes së protestave.

Lekaj përmes një konference për media tha se rritje e çmimit të energjisë elektrike është e paarsyeshme dhe e papranueshme.

“Qeveria Kurti vitin e kaluar subvencionoi bizneset, ndërsa konsumatorëve familjar pavarësisht subvencionit ju rriten tarifat për më shumë se 100%. Pra, pësuan shumica e qytetarëve, sepse zgjidhjet nuk ishin adekuate.

KEKU është në gjendje stabile, ku ka eksportuar miliona euro energji, dhe nëse kjo energji e eksportuar nga KEK nuk zbërthehet në të mirë të qytetarëve, cila është arsyeja e rritjes së çmimit të energjisë”, tha Lekaj.

Tutje Lekaj tha se si është e mundur që KEK-u ka eksportuar miliona euro energji dhe kjo e mirë nuk zbërthehet në të mirë të qytetarëve, duke shtuar se AAK-ja është kundër rritjes së çmimit të energjisë.

“Këtë do ta bëjmë me veprimin tonë politikë, në Kuvendin e Kosovës nëpër komisionet përkatës dhe do të bisedojmë edhe me qytetarët që nëse e shohin, të kemi edhe protesta. Sepse me të vërtetë qytetarët tanë kanë mbetur të vetmuar dhe kjo qeveri vetëm e ka në mendim se si tua rëndojnë jetën qytetarëve dhe jo të ua lehtësojë”, ka thënë ndër të tjera Lekaj.

Ndryshe, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) sërish kanë paralajmëruar se nga 1 prilli mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

/Shqip.com