Lajme

AAK: Në kohën e qeverisjes së Haradinajt, Kosova u çlirua nga produktet serbe

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, “Kosova është çliruar nga produktet e Serbisë dhe importi ka zbritur në 4.5 milionë”, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, AAK theksoi se në kohën kur Haradinaj mori postin e kryeministrit në shtator të vitit 2017, “mallërat e Serbisë kishin pushtuar tregun e Kosovës”.

“Po ashtu krahasimi i importit të energjisë, është dashakeq, sepse në kohën kur Haradinaj e ka marrë drejtimin i Qeverisë, prodhimi në KEK pothuajse ka qenë zero.

Ka qenë mafia energjetike që e kishte bllokuar prodhimin në KEK dhe ka qenë pikërisht Kryeministri Haradinaj që e ka rikthyer prodhimin dhe për më tepër e ka arritur edhe pavarësimin energjetik të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në postim.

Ky reagim i AAK-së ka ardhur pas deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

Fillimisht, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte krahasuar shifrat e miportit në kohën e qeverisjes së tij me atë të kryeministrit aktual, Albin Kurtit.

“Në qeverinë time Serbia mundi që për një vit t’i shesë 4 milionë euro produkte të vetat edhe atë duke paguar taksë 100%. Në qeverinë e Kurtit kjo shifër vetëm për vitin 2021 ka mbërritur në mbi 300 milionë”, ksihte shkruar Haradinaj.

Haradinaj po ashtu deklaroi se “produktet e Serbisë sot kanë pushtuar tregun e Kosovës” dhe se “ky është reciprociteti mashtrues i Albin Kurtit”.

Ndërkaq, Muja i ishte kundërpërgjigjur Haradinajt, duke thënë se publikimi i importeve nga ana e tij, tregon “mungesë të njohurive për ekonominë dhe numrat”.

Ai kishte thënë se rekordi i importeve nga Serbia ishte regjistruar në vitin 2017, kur po qeveriste koalicioni PAN.

Muja u shpreh se në vitin 2021, partneri kryesor rajonal në shkëmbim tregtar për Kosovën është Shqipëria./SHQIP.com