Ekonomi

AAK kërkon reforma në sistemin pensional

Në konferencën e sotme të mbajtur nga ana e Aleancës për ardhmërinë e Kosovës janë adresuar dy çështje që kanë të bëjnë me ekonominë e vendit.

Fatmir Gashi, udhëheqës i Departamentit për ekonomi në AAK, foli rreth mosemërimit të bordit udhëheqës të Trustit Pensional duke kërkuar edhe reforma në këtë sistem.

“Duke e parë rënjën e ekonomisë botërore, duke parë problemet në institucionet financiare të botës të mos formohet bordi mbikëqyrës i Trustit është e pakuptimtë. Nga kjo Qeveri kam pritë që të bën reforma të sistemit pensional në Kosovës lërë më që të mos ta emëroj një bord. Ne kemi shtyllat financiare, Bankën Qendrore si rregullatorë dhe Fondin Pensional si një akter shumë i rëndësishëm në sektorin ekonomik.

Fondi Pensional i menaxhon 2.5 miliardë euro dhe kjo shumë të mbetet pa mbikëqyrje është pak a shumë një përgjegjësi shumë e madhe e Qeverisë dhe të gjithë të tjerëve që Qeverisin me Kosovën.Nevojiten reforma në sistem pensional për të bërë liberalizim të shtyllës së dytë. Kjo do ta zvogëlonte mundësinë për humbje në Trust”, tha Gashi.

Sa i përket Bankës Qendrore, si institucioni më rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, Gashi ngriti shqetësimin për vonesën e emërimit të Guvernatorit në këtë institucion.

“Në vend që të merren masa emergjente për mbrojtje të mirëqenies së qytetarëve, po merren masa për rëndimin e kësaj gjendje. Qytetari po varfërohet çdo ditë e më shumë”, shtoi ai, njoftoi AAK.

Sipas tij, këto veprime të Qeverisë janë të pafalshme sepse rrezikojnë tejmase stabilitetin financiar dhe rrjedhimisht ndikojnë direkt në ekonominë e vendit.

/Shqip.com