Lajme

AAK kërkon mbështetjen e deputetëve për ndryshimin e një neni në Ligjin për Skema Pensionale

Shemsedin Dreshaj - AAK

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka thënë se Ligji për Skemat pensionale kontributdhënëse është ligj diskriminues.

Përmes një konference për media, Dreshaj tha se neni i cili sanksionon punëtorët e Kosovës nga pensionimi meritor duhet të hiqet.

“Ligji për Skemat pensionale kontributdhënëse, është një ligj diskriminues, një ligj i cili qytetarët e vendit të cilët kanë kontribuar me vite nuk e gëzojnë më të drejtën që të shkojnë në kontributet e tyre me pensionin meritor. E themi këtë për shkak se Neni 8 pika 2 e këtij ligji sanksionon në mënyrë të prerë që kush nuk posedon 15 vite deri me 1 janar të vitit 1999, nuk e gëzon të drejtën e pensionit kontributdhënës. Ky nen duhet të largohet me urgjencë për shkak se nga viti i  kaluar, asnjë punëtor i Kosovës nuk shkon në pension kontributdhënës qoftë për një ditë ose një javë që nuk e plotëson 15 vjeteshin”, tha Dreshaj.

Sipas Dreshajt ka kërkuar nga deputetët e pozitës dhe opozitës të Kuvendit të Kosovës si dhe opinionin publik që ta mbështesin këtë nismë.

“Ju themi këtë me qëllim që të bëjmë apel të të gjithë deputetet që të mbështesin këtë ligj për të mirën e vendit. Kjo konferencë duhet të jetë si shtytje për opinionin dhe deputetet që kjo nismë legjislative nga AAK, të gëzojë mbështetjen e parlamentit me qëllim që kjo padrejtësi e bërë të largohet njëherë e përgjithmonë”.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare në të cilën do të diskutohen shumë pika, përfshirë edhe pikën e përmendur nga Dreshaj.

/Shqip.com