Lajme

AAK-ja tregon se si do të veprojnë në rast se nuk u dalin pagat punëtorëve grevist

Ilustrim

Asociacioni i Komunave të Kosovës, pret nga ministria e Financave që të bëjë ekzekutimin e pagave edhe për punëtorët e komunave që janë në grevë.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha për Shqip.com se tashmë komuna i kanë dorëzuar listat e pagave.

“Po, dhe kompetencat janë të ndara dhe komunat i dorëzojnë listat qysh janë të parapara me ligj, kurse kompetencë e Thesarit të Shtetit është vetëm me i ekzekutu ato. Listat janë dorëzuar deri më 10 shtator dhe pagat munden me u përcjell deri më 5 tetor”, u shpreh Ibrahimi.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi

I pyetur se cilat janë veprimet nëse nuk bëhet ekzekutimi i pagave, ai tha se për këtë më pas do të vendos kryesia.

“Nëse veç nuk ekziston mundësia që pagat mos me u dorëzu atëherë do të mblidhet asociacioni dhe do të këtë diskutime më pas”, shtoi ai.

Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ligji parasheh ndaljen e pagave kur punëtorët grevojnë.

“Do ta shohim sepse afati ishte 10 shtatori por po presim. Ndalja e pagave për grevistët nuk është vendim i qeverisë e as i imi e as dëshirë, por kështu e parasheh ligji kur ka greva. Dëshira jonë është që fëmijët të nisin mësimin” ka thënë Murati.

Në anën tjetër, në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës./SHQIP.com