Lajme

AAK-ja nuk përjashton protestat kundër shtrenjtimin të energjisë elektrike

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i përdorë të gjitha mjetet për të shfuqizuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Nënkryetari i AAK-së, njëherësh deputeti, Pal Lekaj, ka bërë të ditur se vendimin për shtrenjtimin e rrymës do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ka theksuar se po i shikojnë mundësitë për të organizuar edhe protestë.

Mes tjerash, ka thënë se Qeveria duhet të gjejë zgjidhje edhe për pagesën e rrymës në veri.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Ne do të këmbëngulim që të kundërshtojmë këtë nëse Qeveria nuk dakordohet, ne do të kërkojmë metoda demokratike të presionit ndaj Qeverisë, duke e dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, edhe metoda të tjera jashtë institucioneve”.

“Të gjitha janë opsionale, do të shikojmë se cila mundësi do të jetë që të bëjmë presion në qeveri. Përveç këtyre që i thash institucionale është opsioni i hapur edhe për protesta. Të shfuqizohet vendimi i ZRrE-së dhe të shikohet mundësia tjetër alternative që mos të vijë deri te shtrenjtimi i energjisë elektrike”.

“Ne do t’i bëjmë kërkesë Qeverisë që të zbatojë apo merr vendim sepse ka kaluar rezoluta që iu ka paguar serbëve në veri të Kosovës rrymën. Diku rreth 30 milionë, janë kërkuar edhe 30 milionë për këta tre muaj që do të thotë në përgjithësi diku 60 milionë, plus 90 milionë subvencion që i bie se për këta tre muaj do të jetë diku 150 milionë euro”, ka deklaruar Lekaj për KP.

Vendimi i ZRrE-së, sipas deputetit të opozitës është antiligjor, antikushtetues dhe diskriminues.

“Për një shtresë të qytetarëve subvencionohen ndërsa për pjesën tjetër qytetarët duhet të paguajnë për të tjerët. Sidomos është diskriminues dhe jo i barabartë me veriun e vendit me qytetarët që janë të padëgjueshme dhe në asnjë mënyrë nuk është gjetur zgjidhja që të paguajnë energjinë e shpenzuar”.

“Prandaj, ZRrE-ja ka pruar një vendim të gabueshme dhe diskriminues për qytetarët e Kosovës. Ky vendim është në vazhdën e vendimeve të tjera që shkon në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe është vendim që ka mashtruar qytetarët. Me siguri qeveria Kurti ka menduar që gjithçka që menaxhohet shkon vetëm në favor të subjektit të tij, por nuk ka dominuar interesi i përgjithshëm i qytetarëve”.

Mes tjerash, Lekaj e ka quajtur “mashtrues” kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, pasi siç tha, ka premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, por “nuk e ka mbajtur premtimin./SHQIP.com