Lajme

A po nis presioni ndaj opozitës për propozimin evropian?

Qëndrimet kundërshtuese të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë, kanë krijuar shqetësim për partnerët perëndimorë të Kosovës.

Propozimi evropian synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja tashmë ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar mbi planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten tha se pritjet e tij janë që të vazhdojnë përgatitjet për takimin e 18 marsit.

Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka deklaruar se në Kosovë pikëpamjet e këtyre dy partive “nuk përputhen me mbështetjen e SHBA-së për propozimin”.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, thuhet në deklaratën e publikuar më 6 mars.

Një ditë më pas, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se pret që partitë opozitare të jenë konstruktive lidhur me planin e BE-së për dialogun dhe se ato duhet të tregojnë “përgjegjësi politike shtetërore”, raporton REL.

/Shqip.com