A ka lidhje paraliza e fytyrës së Justin Bieber me vaksinën anti-COVID?
Një çrregullim i rrallë i quajtur sindroma Ramsay Hunt është parë në titujt kryesorë pasi këngëtari Justin Bieber njoftoi se kishte këtë sëmundje dhe u detyrua të anulonte shfaqjet e tij të ardhshme.
Sindroma Ramsay Hunt shkaktohet nga i njëjti virus që shkakton linë e dhenve dhe herpesin, dhe mund të çojë në paralizë të fytyrës.
28-vjeçari tha në një video në Instagram të premten se gjendja e kishte lënë atë të paaftë të lëvizte një pjesë të fytyrës. Ai tregoi se si nuk ishte në gjendje të mbyllte një sy dhe nuk mund të buzëqeshte në njërën anë të fytyrës.
“Natyrisht siç mund ta shihni nga fytyra ime, unë kam këtë sindromë të quajtur sindroma Ramsay Hunt, dhe është nga ky virus që sulmon nervin në veshin tim dhe nervat e fytyrës sime dhe ka bërë që fytyra ime të ketë paralizë”, tha ai ndër të tjera.
Pas zbulimit, disa përdorues të mediave sociale u përpoqën ta lidhin gjendjen me efektet anësore të vaksinave kundër COVID-19.
Por, nuk ka lidhje me vaksinën anti-COVID.
Disa kanë vënë në dukje një raport BMJ nga Hong Kongu të titulluar “Sindroma Ramsay Hunt pas vaksinimit COVID-19”, por ai raport detajonte një rast të vetëm të një burri që zhvilloi sindromën Ramsay Hunt dy ditë pasi u vaksinua.
Të tjerë kanë pohuar gjithashtu se vaksina shkakton paralizën e Bell-it. Megjithatë, nuk ka asnjë provë për një lidhje të tillë.
“Aktualisht nuk ka asnjë provë të fortë që numri i rasteve të raportuara të paralizës së Bell ose sindromës Ramsay Hunt është më i lartë se sa do të pritej në popullatën e përgjithshme”, tha Facial Palsy UK për Euronews./Shqip.com