A janë informuar Kryeprokurori i Shtetit dhe ai i PSRK lidhur me pretendimet për atentat ndaj Kurtit?
Gjatë ditës, Radiotelevizioni Publik i Kosovë (RTK), duke u thirrur në burime të sigurisë, raportoi se ishte planifikuar një atentat ndaj Kryeministrit Albin Kurti gjatë kohës sa po qëndronte në Shkup.
Por për këtë pretendim të atentatit ndaj Kryeministrit të vendit, nuk janë informuar as u.d. Kryeprokurori i shtetit Besim Kelmendi, e as Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.
“Për momentin në Zyrën tonë nuk ka ndonjë veprim në lidhje me këtë lajm”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori Besim Kelmendi.
“Jo nuk kam ndonjë informatë”, ka thënë në anën tjetër Kryeprokurori Isufaj.
Në bazë të Kodit të Procedurës Penale dhe ligjeve të aplikueshme secili institucion ligjzbatues në Kosovë përfshi Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës e kanë obligim për të informuar menjëherë dhe pa asnjë vonesë Prokurorin e Shtetit nëse udhëheqësit kryesorë shtetërorë janë subjekt i kërcënimit ose dyshimeve që rrezikojnë jetën e tyre.
Për këtë plan për tentim atentat, ashtu siç është raportuar, gjatë ditës ka folur edhe vetë Kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se nuk është ndjerë i kërcënuar. Ndonëse, sipas tij ka pasur shumë kërcënime nga individë dhe struktura që i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar.
“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar. Por unë sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veç se kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate”, është shprehur Kryeministri Kurti.
Mediumi publik, pasditen e të shtunës, ka raportuar se institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna se nga Serbia, ka përpjekje për vrasjen e Kurtit, derisa ai po qëndronte në Shkup pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, kanë mohuar se ka pasur një tentim për atentat të tillë dhe se siguria e Kryeministrit Kurti është organizuar sipas rregullave të përcaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë.
/Shqip.com