Lajme

A është Veriu rrezik për konflikt rajonal?, flet Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në konferencë për media ka folur lidhur me deklaratën që sot e ka dhënë emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se tensionet në Veri rrezikojnë të shndërrohen në konflikt rajonal.

Kurti ka thënë se duhet pyetur Escobarin se përveç Kosovës e Serbisë, për cilat shtete të tjera e ka pasur fjalën kur ka përmendur konfliktin rajonal.

Më një dozë të lehtë humori, Kurti ka thënë se për Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut nuk ia merr mendja, derisa ka thënë për Shqipërinë “ndoshta”, pas kërcënimit për ngrirje raportesh që kryeministri Edi Rama ia ka bërë Serbisë.

Por, Kurti ka thënë se di shumë gjëra, por jo të gjitha dhe për këtë duhet pyetur Escobarin se për cilat shtetet e ka pasur fjalën.

Në Veri është KFOR-i dhe Policia dhe kemi struktura ilegale të Serbisë. Është një konflikt i një republike demokratike me policinë me profesionale dhe të orientuar nga perëndimi, dhe anën tjetër struktura kriminale të një shteti autokratik. Është një konflikt mes këtyre dyjave, dhe besoj se në mes të këtyre të dyjave nuk do të duhej të kishte zyrtar, diplomat, politikan të perëndimit demokratik që ka dilema se cila është ana e drejtë. Konflikt rajonal, siç paska thënë Escobar, po iu besoj juve se unë nuk e kam parë, i bie që nuk janë veç dy shtete, ka më shumë se dy shtete. Mbase ndodheni në konferencën e gabuar për media, është dashur të jeni në konferencën tjetër për media, është dashur ta pyesni atë. Cilat shtetet tjera përveç Kosovës dhe Serbisë besoni që do të përfshihen, meqë thoni se konflikti do të jetë rajonal. Unë nuk e di. Mali i Zi s’ma merr mendja, Maqedonia s’besoj, kryeministri Edi Rama ka kërcënuar Beogradin, ndoshta, por ju atje duhet t’i pyesni, sepse unë i di shumë gjëra, por jo aq shumë. Pra do të duhej që emisarin Escobar ta pyesni kur ka thënë konflikt rajonal, se cilat shtete i ka menduar përveç Kosovës e Serbisë”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

Tutje, ai ka thënë se s’ka informacione që sundimi i ligjit mund të sjell konflikt rajonal.

/Shqip.com