Lajme

A duhet ta shkruajë Kosova një Draft-Statut të Asociacionit?

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Në tavolinë është një vizion i Kurtit se si duhet të duket Asociacioni dhe një draft-Statut i ekipit serb, i papranueshëm për Kosovën. BE-ja e ka parë si pikënisje draftin e Ekipit Menaxhues. Por, britanikët thonë se Kosova duhet ta shkruajë një draft-Statut të Asociacionit, sipas vizionit të Kurtit për ta çuar në Bruksel.

Pas mospajtimeve në takimin e 2 majit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku hyri edhe Ekipi Menaxhues, nuk ka një datë për takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë. Një takim i ri në Bruksel megjithatë pritet të ndodhë rreth datës 20 të këtij muaji.

Emisari Special amerikan, Gabriel Escobar, u ka sugjeruar palëve që të takohen ekipet teknike, pra Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe zyrtari serb, Petar Petkoviq, brenda këtyre dy javëve, për t’i vazhduar negociatat rreth draftit të Asociacionit.

Deri tani, është hartuar një draft-Statut nga Ekipi Menaxhues, i përbërë nga katër serbë, në krye me Danijela Vujiçiqin, që është deputete e Kuvendit të Serbisë. Edhe pse Ekipi është emëruar zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës, Kryeministri Kurti e ka refuzuar kategorikisht draftin e hartuar nga ta.

Kryeministri Kurti në takimin e 2 majit e ka ofruar vizionin e tij për Asociacionin. Sipas Escobarit, ky është një progres, pasi Kurti si refuzues i përhershëm i Marrëveshjes së Asociacionit, e ka ofruar një version se si mund të bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Por tani vizioni i Kurtit duket se është shpenzuar, kërkohet një draft -statut i palës kosovar që do të bëhet pjesë e diskutimeve të Brukselit.

Kërkesën i pari e ka bërë Ambasadori britanik në Prishtinë, Nicolas Abbott.

Në këtë javë pati shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, duke përfshirë edhe drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor të Britanisë së Madhe, Victoria Billing. Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, shkroi Abbott në Twitter.

Nuk dihet nëse kërkesa e britanikëve do të avancojë dhe ekipi negociator kosovar do t’i lejohet ta çojë një draft në Bruksel, sipas kornizave të Kryeministrit Kurti.

Më herët, Kryeministri Kurti ka thënë se ai ka kërkuar që ta shkruajë vetë draft-Statutin për Asociacionin, por ndërkombëtarët nuk e kanë lënë.

Miroslav Lajcak, që ndërmjetëson dialogun në emër të Bashkimit Evropian, ka thënë këto ditë se drafti i Ekipit Menaxhues, të cilin pala kosovare e refuzon kategorikisht, do të jetë pikënisje e diskutimeve.

Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve”, ka thënë Lajçak.

/Shqip.com