Lajme

A do të vazhdojë dialogu pa u sanksionuar Serbia?

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngul se pa u vënë sanksione ndaj Serbisë për sulmin terrorist në veri nuk mund të vazhdojë dialogu. Sipas partisë në pushtet është e pamundur të rikthehen në dialog dhe të shtiren sikurse nuk ka ndodhur asgjë me 24 shtator.

Andaj, nënvizojnë se para çfarëdo iniciative për rikthim të dialogut fillimisht duhet të dënohet Serbia për aktin e agresionit në Kosovë. Mirëpo, partitë opozitare në vend kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të jetë më e kujdesshme pasi dialogu me Serbinë nuk ka alternativë, andaj nuk guxohet të ketë barrikada të tilla.

Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se në rrethanat e aktuale për Kosovën më të rëndësishme janë siguria dhe sanksionimi i Serbisë, se sa dialogu.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë për KosovaPress se Kosova nuk guxon të barrikadohet kundër dialogut pasi s’ka zgjidhje të tjera.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj nënvizon nevojën për dialog me Serbinë, por shton se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për atë çfarë ndodhi më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit. /KP

/Shqip.com