Lajme Botë

A do të mund ta vazhdojë Trump garën për president?

Ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Foto: AP
Ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Foto: AP

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të vendosë nëse ish-presidenti Donald Trump mund ta vazhdojë garën për Shtëpinë e Bardhë, teksa po kërkohet diskualifikimi i tij për shkak të rolit që kishte në trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

Të mërkurën, Trump ka apeluar ndaj një vendimi të Gjykatës Supreme të Kolorados, sipas të cilit ai nuk mund të garojë për president, për shkak se ka shkelur një ndalesë kushtetuese që u pamundëson të mbajnë poste atyre që janë “përfshirë në kryengritje”.

Të martën, ai ka kundërshtuar një hap të ngjashëm nga sekretarja demokrate e Shtetit në Mein, por apeli ndaj vendimit të gjykatës së Kolorados mban peshë më të madhe – sepse gjykata më e lartë në SHBA kurrë nuk ka marrë ndonjë vendim për Pikën 3 të Amendamentit të 14-të, i miratuar më 1868 për t’iu pamundësuar Konfederatave t’i rimerrnin postet e mëparshme qeveritare.

Vendimi i Gjykatës Supreme në rastin e Kolorados do të zbatohet në të 49 shtetet amerikane, përfshirë Meinin.

Trump mbetet në garë për president në të dyja shtetet, derisa të përfundojnë proceset e apelit.

Çfarë është Pika 3?

Bëhet fjalë për dy fjali, të cilat duken relativisht shumë të drejtpërdrejta.

Pika 3 thotë: “Asnjë person nuk mund të jetë senator apo përfaqësues në Kongres, apo zgjedhës i presidentit dhe nënpresidentit, apo të mbajë post, civil apo ushtarak, në Shtetet e Bashkuara, apo në cilindo shtet, i cili, pasi më parë ka bërë betimin, si anëtar i Kongresit, apo si zyrtar i Shteteve të Bashkuara, apo si anëtar i cilësdo legjislaturë shtetërore, apo si zyrtar ekzekutiv apo gjyqësor i cilitdo shteti, për të mbështetur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, është angazhuar në kryengritje apo rebelim kundër tyre, apo ka dhënë ndihmë apo mbështetje ndaj armiqve. Por, Kongresi mundet, përmes votimit nga dy të tretat e secilës nga Dhomat, të heqë një ndalesë të tillë”.

Çfarë pretendon ekipi ligjor i Trumpit?

Avokatët e Trumpit thonë se kjo pjesë e Kushtetutës nuk është menduar për t’u aplikuar në rastin e presidentit. Vëreni se si ajo përmend në mënyrë specifike zgjedhësit, senatorët dhe përfaqësuesit, por jo presidencën, thonë ata.

Pika 3 përmend, po ashtu, betimin për “të mbështetur” Shtetet e Bashkuara, por në betimin presidencial nuk përdoret ajo fjalë – Kushtetuta u kërkon presidentëve të thonë se do ta “ruajnë dhe mbrojnë” dokumentin. Dhe, në fund, ajo flet për çdo “zyrtar” tjetër të Shteteve të Bashkuara, por avokatët e Trumpit argumentojnë se gjuha është menduar për t’u aplikuar në rastin e të emëruarve nga presidenti, jo për vetë presidentin.

Kjo ka mjaftuar për të bindur gjyqtarin fillestar që ka shqyrtuar rastin në Denver, i cili është pajtuar se nuk është e qartë se Pika 3 zbatohet për presidentin. Por, vendimi i atij gjyqtari u prish nga Gjykata Supreme e Kolorados.

Shumica e gjykatës më të lartë të shtetit shkroi: “Presidenti Trump na kërkon të vlerësojmë se Pika 3 diskualifikon çdo kryengritës që shkel betimin, përveç më të lartit dhe se ajo ua ndalon shkelësve të betimit mbajtjen e pothuajse çfarëdo posti, qoftë në nivel shtetëror apo federal, përveç më të lartit në vend”.

Cilat janë argumentet e tjera të ekipit të Trumpit?

Avokatët e tij e cilësojnë politike çështjen se për kë zbatohet pika rrallë e përdorur dhe dikur e pakuptimtë, dhe pohojnë se për të nuk mund të vendosin gjyqtarë të pazgjedhur. Ata pretendojnë se rasti i 6 janarit nuk ishte kryengritje – ajo nuk ishte e përhapur, thonë ata, dhe nuk përfshiu numër të madh armësh zjarri apo shenja të tjera të rebelimit. Ata thonë se Trump nuk është “përfshirë” në asgjë atë ditë, përveç në ushtrimin e të drejtave të tij të mbrojtura për liri të shprehjes.

Argumenti i tyre final është ai që i ka bindur tre gjyqtarë mospajtues, nga shtatë sa ka gjykata më e lartë e Kolorados – mënyra ad hoc e vlerësimit të gjykatës se Trump ka shkelur Pikën 3, shkeli vetë të drejtat e ish-presidentit për proces të drejtë.

Ata pohojnë se atij duhej t’i garantohej një proces me strukturë dhe me ballafaqime, në vend se një gjykatë në Kolorado të përpiqej të vlerësonte nëse Kushtetuta aplikohej në rastin e tij.

Natyra e rasteve është e paprecedentë. Pika 3 është përdorur rrallë pasi një amnisti e 1872-tës e Kongresit përjashtoi shumicën e ish-Konfederatave. Gjykata Supreme e SHBA-së kurrë nuk e ka shqyrtuar një rast të tillë. Argumentet për precedentët legalë kthejnë te një opinion i vetëm, i vitit 1869, nga kryegjyqtari Salmon Chase, i cili po trajtonte një apel si gjyqtar qarku, e jo në gjykatën e lartë.

Kritikët e Trumpit kanë dorëzuar dhjetëra padi në përpjekje për ta diskualifikuar atë, dhe të gjitha kanë dështuar, deri në rastin e Kolorados. Por, ato kryesisht kanë dështuar për shkak se gjyqtarët kanë shmangur çështjet kushtetuese apo e kanë cilësuar veten të pakualifikuar për të vendosur rreth tyre. Duke supozuar se ajo do ta trajtojë rastin – kështu, të paktën, pret çdo analist – Gjykata Supreme nuk ka shumë hapësirë për të manovruar.

Çfarë do të bëjë Gjykata Supreme dhe kur?

Partia Republikane e Kolorados tashmë ka apeluar kundër vendimit të gjykatës në Kolorado, prandaj gjyqtarët kanë pasur kohë të mendojnë se çfarë do të bëjnë.

Gjykata më e lartë amerikane ka dhjetëra mënyra se si mund të vendosë.

Ajo mund ta konfirmojë vendimin e Kolorados, dhe të thotë se Trump më nuk është i kualifikuar për të qenë president.

Gjykata mund të thotë se Trumpi është i kualifikuar për të qenë president. Kjo do t’u jepte fund të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me Pikën 3, përfshirë në Mein.

Ajo mund ta prishë vendimin e Kolorados, duke u thirrur në një aspekt teknik për procedurat e përdorura për ta ngritur rastin atje, dhe të hapë rrugën për një rast tjetër në vjeshtë.

Gjykata Supreme mund të thotë se vendimi final i takon Kongresit amerikan.

Se kur mund të marrë vendim gjykata është një tjetër mister. Në rastin Bush kundër Gore, më 2000, i cili ndërpreu rinumërimin në Florida dhe e bëri George W. Bushin president, gjykata mori vendim brenda tri ditësh. Gjykata mundet, po ashtu, ta trajtojë rastin ngadalë dhe të presë deri në fund të afatit, më 30 qershor, për të dhënë vendimin.

Sigurisht, kjo mund të hapë derën për më shumë kaos dhe të lërë paqartësi gjatë zgjedhjeve brendapartiake, nëse republikanët do të votojnë për dikë që nuk është i kualifikuar për të qenë president. Prandaj, të gjitha palët kanë kërkuar trajtim të përshpejtuar të rastit dhe marrje sa më të shpejtë të vendimit.

A nuk do të vendosin republikanët në favor të Trumpit?

Që të shtatë gjyqtarët e gjykatës më të lartë të Kolorados janë emëruar nga demokratët. Gjashtë nga nëntë gjyqtarët e Gjykatës Supreme të SHBA-së janë emëruar nga republikanët, prej të cilëve tre nga vetë Trumpi.

Por, gjykata në Kolorado u nda 4 me 3 në vendimin e saj. Shumica citoi një vendim të marrë nga Neil Gorsuch, një nga tre konservatorët e emëruar nga Trumpi në Gjykatën Supreme, kur ai ishte gjyqtar federal në Kolorado. Ai kishte vlerësuar se shteti me të drejtë ia kishte ndaluar një qytetari të natyralizuar, të lindur në Guajana, të garonte për president, sepse ai nuk ishte i kualifikuar, sipas Kushtetutës.

Demokratët tashmë kanë nisur të sugjerojnë se gjyqtari Clarence Thomas duhet të tërhiqet nga përfshirja në marrjen e vendimit, sepse bashkëshortja e tij, aktiviste republikane, e ka mbështetur përpjekjen e Trumpit për të zhbërë humbjen e tij zgjedhore më 2020 përballë presidentit aktual, Joe Biden. Thomas është tërhequr vetëm në një rast lidhur me zgjedhjet e vitit 2020, dhe deri më tani njerëzit që po përpiqen ta diskualifikojnë Trumpin nuk i kanë kërkuar të veprojë njëjtë në këtë rast.

Disa prej mbështetësve më të fuqishëm të përdorimit të Pikës 3 kundër Trumpit janë teoricienë të shquar ligjorë dhe avokatë konservatorë, të cilët argumentojnë se gjykatat duhet t’u përmbahen fjalëve të Kushtetutës. Ata argumentojnë se nuk ka hapësirë për interpretime tjera – ato qartë e diskualifikojnë Trumpin.

Çështja nëse Trump është i kualifikuar për të qenë president nuk është trajtuar mbi vija tradicionale partiake në botën ligjore, pjesërisht për shkak se meqë ky është terren krejtësisht i ri ligjor, është vështirë të parashikohet se si do të vendosin gjyqtarët e caktuar, duke u bazuar në ideologjinë e tyre.

Por, shumica e ekspertëve ligjorë parashikojnë se Trump do të fitojë në gjykatën më të lartë amerikane – për shkak se gjykatat hezitojnë shumë që të kufizojnë opsionet e votuesve. Ka edhe një term për këtë – “çështja politike”, nëse një kontest gjyqësor është më mirë të zgjidhet nga njerëzit që votuesit i kanë zgjedhur për t’i bërë ligjet, sesa nga gjyqtarët e pazgjedhur.

Nëse kjo nuk ndodhë dhe fushata e Trumpit ndërpritet nga Pika 3, disa kritikë parashohin se ajo do të përdoret si armë në garat politike. Imagjinojeni një botë ku karriera e cilitdo politikan mund të përfundojë papritmas, kur një gjykatë apo një zyrtar zgjedhor vendos që ai person është “përfshirë në kryengritje”, thonë ata.

Nëse gjykata më e lartë e SHBA-së nuk e mbyll këtë rast, Trump mund të jetë vetëm i pari, paralajmërojnë ata. /REL

/Shqip.com