Lajme

A do të ketë një takim trepalësh në mes Lajçakut, Bislimit e Petkoviqit?

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi gjatë një takimi me përfaqësuesin special të BE-së në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, më 6 shtator 2023.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi gjatë një takimi me përfaqësuesin special të BE-së në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, më 6 shtator 2023.

Ndërmjetësuesi evropian i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pritur mëngjesin e së martës në takim kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa më vonë do të takojë edhe delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq.

Siç raporton Radio Evopa e Lirë, takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë.

Javën që shkoi Bashkimi Evropian njoftoi që temë diskutimi në këtë takim do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb, ndonëse nga Qeveria e Kosovës në vazhdimësi kanë deklaruar se për këtë çështje nuk do të diskutohet në Bruksel.

Një ditë para këtij takimi, për dinarin ka folur presidentja Vjosa Osmani, shkruan gazeta online Reporteri.

Osmani ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

Kurse, para takimi mes kryenegociatorëve, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell se Kosova dhe Serbia kanë arritur progres shumë të kufizuar, derisa është shprehur se i vjen keq se marrëveshja që siç thotë ai ishte e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar.

Borrell tha para gazetarëve zbatimi i marrëveshjes nuk ka qenë aq sa e priste dhe se do të vazhdohet me presion ndaj palëve për të ecur përpara.

“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Orientit. Koha ikën dhe tashmë është një vit që kemi arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ecur drejt normalizimit. Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur progres shumë të kufizuar. Së shpejti do të jetë takimi vjetor i kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Do vazhdohet me presion ndaj të dyja palëve për të ecur përpara. Por një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa prisja të ishte”, ka deklaruar Borrell.

/Shqip.com