Shoqata e Transportuesve dorëzon padi kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me çmimin e biletave

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka dorëzuar padi dhe ka kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me çmimoren për disa kategori të udhëtarëve.
Ata kanë paralajmëruar se do t’i shkruajnë edhe shteteve të QUINT-it, pasi sipas tyre politika po ndërhynë në Shoqatën e Transportuesve.
Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se vendimi i Qeverisë i dëmton bizneset.
“Bizneset janë duke vepruar në bazë të ligjit, është ekonomi e lirë, oferta dhe kërkesat e përcaktojnë çmimin, andaj mendojmë se ky vendim është jashtëzakonisht i dëmshëm për bizneset dhe për këtë arsye jemi këtu sot për të zbatuar atë qe kem marr vendim dje”, tha Kurtishaj.
Avokati i angazhuar nga Shoqata e Transportuesve, Jakup Berisha tha se janë duke përgatitur kallëzim penal ndaj nënshkruesit të vendimit.

Ai tha se në bazë të ligjit kjo është vepër penale pasi që ndërynë në ekonominë e një tregu të lirë.
“Ne sot as një minutë më vonë s’do ta humbim dhe do ju shkruajmë ambasadave të QUINT-it se si politika ndërhynë në tregun e lirë të Kosovës që t’i dirigjojë çmimet në transportin e lirë të udhëtarëve”, tha ai.
Ndërsa, Qamil Kastrati nga Këshilli Drejtues i Shoqatës dhe Transportit nga Prizreni tha se me këtë rast janë hasur edhe në shkelje ligjore Kushtetuese.
“Ne jo vetëm që kemi hasur shkelje ligjore por edhe Kushtetuese sipas nenit 7 dhe 10. Nëse janë të interesuar le ta lexojnë ata që e kanë bërë atë shkelje. Ne vetëm na mbetët të jemi strikt dhe të vendosur që mos ta zbatojmë atë vendim sepse na ka shkelur tamam dinjitetin tonë dhe ligjin për ekonominë e tregut të lirë. Kështu që jemi të vendosur në rrugën tonë”, përfundoi Kastrati./Shqip.com