Sveçla për operacionin “Pika”: Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të nisur sot nga Inspektoriati i Policisë dhe Prokuroria Speciale për dyshimet se disa zyrtarë policorë dhe të Doganës janë të përfshirë në mitmarrje dhe keqpërdorim detyre.
Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë të cilët kanë për qëllim të keqpërdorin pozitën zyrtare, nuk kanë vend në PK.
“Ne jemi zotuar që këtë vlerësim do ta ruajmë dhe do të punojmë maksimalisht që ta ngrisim më lartë. Në kuadër të kësaj, të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policor, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni”, ka shkruar ministri në “Facebook”.

Mes tjerash, i pari i MPB-së, ka thurur fjalë lavde për Inspektoratin Policor të Kosovës për të cilat thotë se “me seriozitet dhe ndershmëri punojnë maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre”.
Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.
“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës./Shqip.com