Alaj mirëpret vendimin për rikthim në MKRS, suspendimi nga puna thotë se e “penalizoi në karrierë”

Ibër Alaj e ka mirëpritur anulimin e vendimit të Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për largimin e tij nga puna në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Sportit në këtë ministri.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka miratuar pjesërisht ankesën e Alajt duke i kërkuar MKRS-së që ta ndryshojë vendimin e Komisionit Disiplinor dhe ta zëvendësoj me ndalim të ngritjes në detyrë duke përfshirë këtu rritjen në shkallën e pagës për tri vjet.
“Janë vendime të institucioneve në zbatim të ligjit. Unë e kam mirëprit si vendim të tillë por tash mbetet me analizu vendimin që e kanë marrë”, deklaroi Alaj për Shqip.com.
Suspendimin e tij nga puna e konsideron të “padrejtë” dhe thotë se është “penalizuar në aspektin e ngritjes në karrierë”.
“Mendoj që aspekti ligjor nuk është përmbushur në tërësi”, përfundoi Alaj për Shqip.com.

Ibër Alaj ishte suspenduar nga puna në dhjetor të vitit 2021 ndërsa një komision disiplinor i MKRS-së kishte kërkuar largimin tij nga shërbimi civil në ministri.
Pas këtij vendimi Alaj ishte ankuar në KPMShCK.
Pas shqyrtimit të ankesës së Alajt, ky këshilli ka miratuar pjesërisht ankesën, duke i kërkuar MKRS-së që ta ndryshojë vendimin e Komisionit Disiplinor.
KPMShCK i ka kërkuar MKRS-së që masa disiplinore të zëvendësohet me ndalimin e ngritjes në detyrë dhe mosrritje rroge për tri vjet për Alajn.
“Vendimi më KD Nr. 07/2021i datës 06.12.2021 i Komisionit Disiplinor i MKRS-së lidhur me masën e disiplinore ndaj ankuesit, ashtu që masa disiplinore ‘Largim nga Shërbimi Civil në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit’, zëvendësohet me masën disiplinore ‘Ndalim i ngritjes në detyrë, duke përfshirë këtu rritjen në shkallën e pagës për tre (3) vjet”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
KPMSHCK-ja, vendimin e saj për ndryshimin e masës së disiplinore ndaj Alajt, e ka bazuar siç thuhet në vendim, edhe në shkeljet procedurale dhe ligjore të bëra nga organi i punësimit./Shqip.com