Sport Shqiptar

Malisheva befason Ballkanin, Prishtina rikthehet te fitorja

Skuadra e Malishevës ka befasuar Ballkanin duke e mposhtur me rezultat 2:0.

Mërgim Pefqeli shënoi i pari në minutën e 40-të të ndeshjes, ndërsa në minutën e 44-rt realizoi Arbër Pira.

Për Malishevën ky është një hap i madh për të siguruar mbijetesën në elitë, kurse për Ballkanin është një hap mbrapa në luftën për titull.

Kjo ishte disfata e parë për skuadrën e Ballkanit në stinorin pranveror.

Malisheva ngjitet në vendin e shtatë me 29 pikë, katër më shumë se Dukagjini i vendit të tetë, që gjendet në zonën e barazhit.

Ballkani mbetet lider me 48 pikë. Ka dy pikë më shumë se Gjilani që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Prishtina ka arritur të marrë fitoren e par në stinorin pranveror, pasi ka mposhtur Feronikelin.

Kampioni në fuqi të mërkurën në udhëtim te Feronikeli fitoi me rezultatin bindës 0:3.

Oto John në minutën e 33-të, ia dha epërsinë skuadrës mysafire, derisa Besnik Krasniqi pak para përfundimit të pjesës së parë e dyfishoi epërsinë.

Për rezultatin përfundimtar u përkujdes, Sadam Sulley që në minutën e 70-të shënoi për 0:3.

Prishtina pas 24 ndeshjeve ka 29 pikë në vendin e gjashtë, aq sa ka edhe Malisheva në vendin e shtatë.

Skuadra e Dukagjinit nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë kundër Ulpianës.

Ndeshja e xhiros së 24-t në Superligën e Kosovës në futboll ka përfunduar me rezultatin 1:1.

Ishin vendasit ata që kaluan të parët në epërsi pas autogolit të shënuar nga qendërmbrojtësi i Dukagjinit, Elton Basriu në minutën e 48-të.

Megjithatë, klinasit nuk u dorëzuan dhe arritën ta barazojnë rezultatin në minutën e 69-të, me golin e Arbër Shala.

Me këtë barazim, Dukagjini sërish mbetet në pozitën e tetë në tabelë me 25 pikë, dy më shumë se Ulpiana që renditet e parafundit./Shqip.com