Konjufca i reagon Musliut: Betohem në vajzat e mia se vetëm deputetët e opozitës i kanë 150 familjarë në institucione
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, janë përplasur në seancën e së martës në Kuvend lidhur me emërimet familjare në institucione publike.
Konjufca duke iu drejtuar deputetëve tha se kushdo që e ka qoftë edhe një familjar të punësuar në institucione publike s’duhet të flasë fare, përcjell Shqip.com.
Me këtë rast, deputetja Musliu iu ka drejtuar duke e pyetur nëse mendon që motra e saj është punësuar në mënyrë profesionale.
“Nëse ti mendon që motra jote u pranua në mënyrë profesionale ti nuk ke drejtë me fol fare në këtë Kuvend”, i është përgjigjur Konjufca.
Ndërsa, Musliu iu ka kundërpërgjigjur duke thënë se motra e saj po “kryqëzohet nga kjo Qeveri diferenciale”.
“E kam motrën zyrtare të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe jam shumë krenare. Ju jeni ata që e keni kryqëzuar motrën time sepse ju jeni diferencial, e keni kryqëzuar vetëm pse është motra e Ganës. Ti i ke pesë a gjashtë të punësuar në institucione”, ka thënë ajo.
Tutje, Konjufca u shpreh përmendja e emrave nuk është e nivelit të tij por që është i gatshëm të sjellë një listë prej 150 personash familjarë të opozitës të punësuar në institucione publike.
“Me ja filluar me i numëruar familjarët në BQK e Telekom, unë mendoj që në këtë Kuvend ta sjell listën e saktë që shkojnë deri në nivelin e dhëndrrave dhe vjehrrave. Gane, po të betohem në vajzat e mia që 150 familjarë t’i dorëzojë që janë punësuar”, ka thënë Konjufca.
Konjufca tutje ka përmendur që vëllai i tij është pranuar në Universitetin e Prishtinës një muaj para se të vjen në qeverisje Lëvizja Vetëvendosje./SHQIP.com