Lajme

Gërvalla: Do t’i pranojmë 5 mijë refugjatë ukrainas, vizat tranzit do të pezullohen

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporës, kryediplomatja Donika Gërvalla tha se gjatë kësaj jave do të marrin vendim për pranimin e 5000 refugjatëve ukrainas.

Gërvalla, para anëtarëve të Komisionit tha se janë duke punuar që të merren masat konkrete në këtë aspekt.

“Pas miratimit të rezolutës ne si ekzekutiv kemi punuar në këtë. Gjatë kësaj jave do të dorëzoj kërkesën në qeveri për marrjen e masave konkrete që të ofrohet ambient i përshtatshëm që të pranohen deri në 5 mijë refugjatë. Kam biseduar me organizata si përshembull UNHCR që kanë eksperiencë me strehimin e refugjatëve. Gjithashtu, qeveria do të ndajë një fond të caktuar për ndihma humanitare”, tha ajo.

Ndër tjerash, Gërvalla përmendi edhte çështjen e regjimit të vizave për ukrainasit ku shtoi se një gjë e tillë do të pezullohet.

Flamuri i Kosovës dhe flamuri i Ukrainës

“Do të pezullojmë regjimin e vizave tranzit për ukrainasit, ata që do të qëndrojnë në Kosovë duhet të lajmërohen në organet kompetente për lejeqendrim”.

Ndëresa theksoi se deri në momentin e raportimit në Komision, nuk ka pranuar asnjë informatë se ndonjë kosovarë e ka të pamundur të kthehet nga Ukraina.

“Ambasada në Çeki, zonja Iberhysaj ka vendosur linjën e kontaktit të rregullt, kemi numër telefoni që mundet të lajmërohet secili qytetar. Nuk kemi ndonjë qytetar që dëshiron të largohet nga Ukraina dhe e ka të pamundur”, deklaroi kryediplomatja.

Sipas kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, deri tani numërohen pesë mijë kosovarë të cilët janë në pjesën Odeses në Ukrainë./Shqip.com