Kalaja e Novobërdës në pritje për renovim nga viti 2019

Filloi për restaurim e rikonstruktim, por përfundoi me mure të dëmtuar, e një kala që vështirë qëndron në themelet e saj.
Kalaja e Novobërdës vazhdon të jetë e dëmtuar që kur kompania e Beogradit “Koto”, me ndërhyrjet e fundit dëmtoi muret.
Gjendjen e saj të rëndë e gati të rrënuar, për Shqip.com e ka konfirmuar edhe Sali Shoshi nga organizata për Trashëgimi Kulturore.
“Gjendja e kalasë së Novobërdës është shumë e keqe muret e saj janë duke u rrënuar çdo ditë, ka pas kolapsim të një pjesë të madhe, sidomos të mureve të jashtme”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo erdhi krejt si rezultat i ndërhyrjeve jo profesionale të UNESCO-s.
“Si rezultat i ndërhyrjeve që kanë bërë jo profesionale UNESCO-s me kontraktorët e vet, ato intervenime kanë qenë të dëmshme që kanë rreziku komplet autotencitetin e kalasë”, ka shtuar tutje Shoshi.
Edhe pse Kosova dita e ditës rrezikon që ta humbasë një kala me pasuri të madhe kulturore e historike, Shoshi thotë se nuk ka asnjë informacion që kanë ndodh intervenime, dhe se nuk kanë marrë përgjigje.
“Por janë shumë skeptik që situata mund të ndryshojë për shkak se intervenimeve, kanë qenë aq të mëdha të cilat vështirë që të kthehen në gjendje të para intervenimit”, thotë ai.
Qëndrimi mbyllur i Kalasë nga viti 2019, ka ndikuar edhe në uljen e numrit të vizitorëve.
“Gjithmonë kur trashëgimia kulturore nuk është e qasshme për publikun nuk ka mirëmbajtje nuk ka shenjëzim, nuk ka njerëz që duhen ajo është një shanse e humbur për vizitë”, ka thënë Shoshi.
Ministria e Kulturës në pritje të UNESCO-s
Për gjendjen dhe për procesin e renovimeve, Ministria e Kulturës ka konfirmuar se ka qenë e gatshme edhe vitin e kaluar të mbështes financiarisht konsolidimin e mureve te dëmtuara.
“Gjatë vitit 2021 kompania e angazhuar nga UNESCO, ka zhvilluar ndërmarrjen e masave te sigurisë dhe parandalimit te dëmtimit te mëtutjeshëm, në përputhje me rekomandimet dhe kërkesat e parashtruara nga Ministria e Kulturës dhe Institucionet vartëse te saj”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga MKRS.
Mirëpo, kjo nuk do të thotë që kanë filluar restaurimet, dhe se vazhdon të mbetet në pritje që nga viti 2019.
“Sa i përket sanimit dhe konsolidimit të mureve, jemi në pritje të UNESCO zyra në Sarajevë, për të filluar ndërhyrjet këtë vit”, thuhet tutje nga Ministria.
Ministria e Kulturës në vitin 2019 kishte bërë kallëzim penal, ndaj kompanisë së Beogradit “Koto”, me pretendimet se kanë kryer vepër penale, për dëmtimin dhe shkatërrimin e mureve të saj.
Mirëpo, se çfarë ka ndodhur me të njëjtën padi, MKRS, nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërhyrjet në Kalanë e Novobërdës janë financuar nga Fondet IPA të Bashkimit Evropian dhe janë zbatuar nga UNESCO, zyra rajonale në Sarajevë.
Ndërkaq, punimet ne Kalanë e Novobërdës mbikëqyren nga dy institucione, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje te Monumenteve dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës./SHQIP.com