Lajme Botë

Sputnik dhe Russia Today bllokohen në Evropë

Bashkimi Evropian ka ndaluar që në territorin e saj të transmetohen mediat të cilat sponzorohen nga Rusia siç është Sputnik dhe Russia Today. 

Vendimi është pjesë e sanksioneve ndaj regjimit politik të Rusisë i cili është duke sulmuar Ukrainën me trupa ushtarake.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se ndalimi i këtyre dy mediumeve është shenjë se Bashkimi Evropian nuk toleron përçarjen.

“Në kohën e luftës, fjalët kanë rëndësi. Ne jemi dëshmitarë të propagandës masive dhe dezinformimit në lidhje me sulmet të cilat janë duke ndodhur në një shtet të pavarur dhe të lirë. Ne nuk do të lejojmë që të na helmojnë me gënjeshtra duke justifikuar luftën e Putinit dhe të tentojnë të përçajnë Unionin tonë”, ka thënë ajo.

Ndryshe BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të rënda duke përjashtuar Rusinë nga shkëmbimet tregtare si dhe duke i vendosur edhe sanksione tjera të cilat godasin njerëzit të cilët janë të lidhur me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. /Shqip.com