Gazetari shqiptar flet nga Ukraina: Gjatë kohës kur po zhvillohen bisedimet në Bjellorusi, në qytetet tjera kishte bombardime

Shumë qytetarë i janë bashkuar ushtrisë së Ukrainës si civil për të luftuar kundër invazionit rus.
Gazetari Festim Beqiri i cili gjendet në Kiev, për Shqip.com tha se civilët po presin në radhë për t’u pajisur me armë.
Por, ushtrisë ukrainase i janë bashkuar edhe civil të nënshtetësive të tjera.
“Sot na kanë befasu tepër, kanë qenë një amerikan dhe një turk që kanë ardhë nga shtetet e jatshme për të luftuar për këtë vend sepse kanë shokë, miq dhe familje këtu (në Ukrainë). Ata kanë thënë nuk ua lëshojmë rusëve këtë vend sepse ky vend është i ukrainasve”.
Duke folur për situatën aktuale, Beqiri tha se gjatë 12 orëve të fundit nuk janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në Kiev nga agresori rus ndërsa e njëjta nuk ka ndodhur edhe në qytetet e tjera.
“Në 12 orët e fundit është qetësuar situata është fjala vetëm për Kiev. Kemi informata se në tjerat qytete dhe në rrethinë të Kievit situata është vazhdimisht në luftë dhe ka bombardime gjatë ditës”, tha Beqiri për Shqip-in.
Ai theksoi se ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, Denys Monastyrsky ka deklaruar se infrastruktura është duke funksionuar mirë.
“Pak më herët e patëm një intervistë me ministrin e Punëve të Brendshme të Ukrainës, ai na ceku që gjendja aktuale është e mirë, secili prej ushtarëve që e ka mbrojt Kievin është njësh për vendin. Ai tha se infrastruktura është duke funksionuar.Kemi ujë, rrymë, bukë dhe ushqim”, deklaroi më tej Beqiri.
Aktualisht, pala Ruse dhe ajo Ukrainase janë duke zhvilluar bisedime për t’i dhënë fund luftës.
Sipas raportimt nga mediat ndërkombëtare, ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei mirëpriti delegacionet nga Ukraina dhe Rusia për bisedime të hënën, duke i siguruar delegatët se ata duhet të ndihen “plotësisht të sigurt”.
“Të dashur miq, Presidenti i Bjellorusisë më kërkoi t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju siguroj gjithçka për punën tuaj, siç është rënë dakord me Presidentin Zelensky dhe Presidentin Putin. Këtu mund të ndiheni plotësisht të sigurtë. Kjo është detyra jonë e shenjtë”, tha Makei para dy palëve.
Bisedimet ende janë duke vazhduar.
Të gjitha lajmet rreth zhvillimeve më të fundit në Ukrainë mund t’i lexoni duke klikuar KËTU /Shqip.com